TITULLI II - KONTRATAT E VEÇANTA
KREU I - SHITJA DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 705
Kontrata e shitjes ka për objekt kalimin e pronësisë së një sendi ose kalimin e një të drejte kundrejt pagimit të një çmimi.
Neni 706
Në shitjen që ka për objekt fitimin në të ardhmen të një sendi ose
të një të drejte, fitimi i pronësisë bëhet sapo sendi ose e drejta
pranohet se ekzistojnë.
Përveç kur palët kanë dashur të përfundojnë një kontratë me kusht
pezullues, shitja është e paefektshme në qoftë se sendi nuk pranohet se
ekziston.
Neni 707
Në qoftë se palët nuk e kanë caktuar çmimin, as nuk janë marrë vesh
për mënyrën e caktimit të tij, në mungesë të ndonjë akti të organeve
kompetente publike, prezumohet se palët kanë dashur t’i referohen çmimit
të zbatuar normalisht nga shitësi në kohën e lidhjes së kontratës.
Kur është fjala për sende që kanë çmim burse apo tregu, çmimi caktohet
në bazë të listave të tregut të vendit ku do të bëhet dorëzimi, ose nga
ato të vendit që është më afër tij.
Në qoftë se çmimi është caktuar mbi bazën e peshës së sendeve, në rast dyshimi ai duhet të caktohet në bazë të peshës neto.
Palët mund t’ia besojnë caktimin e çmimit një të treti, të emëruar në kontratë ose që mund të emërohet më vonë.
Neni 708
Shpenzimet e kontratës së shitjes dhe shpenzimet e tjera të lidhura
me të, janë në ngarkim të blerësit, përveç kur në marrëveshje
parashikohet ndryshe.
Neni 709 - Ndalime të veçanta të blerjes
Nuk mund të blejnë drejtpërdrejt, me anë të një tjetri, ose në ankand:
a) personat që administrojnë ose ruajnë sende të huaja në bazë të
ligjit ose të emërimit nga shteti, sendet që administrojnë ose ruajnë;
b) personat zyrtarë që janë të ngarkuar të bëjnë shitje me ekzekutim të detyrueshëm, sendet që këta shesin;
c) gjyqtarët, prokurorët, përmbaruesit, noterët dhe avokatët, sendet
për të cilat ka grindje përpara gjykatës në të cilën bëjnë pjesë ose
ushtrojnë funksionet e tyre, përveç kur këta janë bashkëpronarë mbi ato.
Detyrime të shitësit në shitjen e pasurisë së luajtshme
Neni 710
Detyrimet kryesore të shitësit janë:
1. t’i dorëzojë sendin blerësit;
2. kur fitimi i pronësisë mbi sendin, ose i të drejtave reale mbi të,
nuk është pasojë e menjëhershme e kontratës, duhet të dorëzojë të
gjitha dokumentet përkatëse për fitimin e pronësisë së tyre, sipas
kushteve të parashikuara nga kontrata apo nga ligji;
3. të garantojë blerësin nga zhveshja, nga veset dhe nga mospërputhja e cilësive të sendit me kontratën.
Neni 711
Sendet dorëzohen në gjendjen në të cilën ndodhen në momentin e përfundimit të kontratës. Sendet duhet të dorëzohen së bashku me
aksesorët, shtesat dhe frytat që nga dita e përfundimit të kontratës, përveç kur palët kanë parashikuar ndryshe në kontratë.
Në qoftë se shitësi nuk është i detyruar të dorëzojë sendet në një vend
tjetër të caktuar, ai i shlyen detyrimet e dorëzimit duke ia dhënë
sendet transportuesit të parë për t’ia kaluar blerësit, kur kontrata e
shitjes përfshin transportin e sendeve.
Në rast se kontrata nuk përfshin transportin e sendeve dhe u referohet
sendeve të caktuara individualisht, ose në lloj apo sasi, që duhen
tërhequr nga një sasi e caktuar ose që duhet të fabrikohen ose të
prodhohen dhe në qoftë se në momentin e përfundimit të kontratës, palët e
dinin që sendet ndodheshin ose duhet të fabrikoheshin apo të
prodhoheshin në një vend të caktuar, shitësi detyrohet t’i verë sendet
në dispozicion të blerësit në atë vend.
Në rastet e tjera, shitësi është i detyruar që t’i verë sendet në
dispozicion të blerësit, në vendin ku sendet ndodheshin në kohën e
shitjes ose, kur një vend i tillë nuk mund të përcaktohet, në vendin ku
shitësi kishte banimin e tij ose qendrën e veprimtarisë se vet.
Neni 712
Shitësi duhet të dorëzojë sendet:
1. në datën e caktuar në kontratë ose që është e përcaktueshme në bazë të kontratës;
2. në çdo moment të periudhës së kohës që është caktuar ose që është e
caktueshme sipas kontratës, përveç kur del nga rrethanat se i është
lënë blerësit të zgjedhë datën;
3. në çdo rast tjetër brenda një afati të arsyeshëm që nga përfundimi i kontratës.
Neni 713
Kur shitësi detyrohet të lëshojë dokumentet lidhur me sendet, ato
lëshohen në kohën, në vendin dhe në formën e parashikuar në kontratë.
Në qoftë se dokumentet i ka lëshuar përpara këtij momenti, ai mund të
rregullojë çdo defekt të tyre deri në momentin e parashikuar për
lëshimin e tyre, në qoftë se ushtrimi i një të drejte të tillë nuk i
sjell blerësit shqetësime ose një shpenzim të paarsyeshëm. Në këto raste
ai ruan të drejtën të kërkojë shpërblimin e dëmit.
Neni 714
Në shitjen me dokumente, shitësi shkarkohet nga detyrimi i
dorëzimit të sendeve të shitura, duke i dhënë blerësit dokumentin e
shitjes dhe dokumentet e tjera të caktuara në kontratë ose në ligj.
Neni 715
Shitësi duhet të dorëzojë sendet në cilësinë, sasinë dhe llojin e
kërkuar në kontratë, si dhe të vendosura dhe të ambalazhuara në mënyrën e
caktuar në kontratë.
Quhet se sendet nuk janë në përputhje me kontratën po qe se nuk janë të
përshtatshme për përdorimin e posaçëm, të përcaktuar nga kontrata,
përveç kur ka marrëveshje të kundërt. Kur një përcaktim i tillë nuk
është i mundur, sendet quhet se nuk janë në përputhje me kontratën, në
qoftë se nuk janë të përshtatshme për përdorimin për të cilin shërbejnë
zakonisht sende të të njëjtit lloj.
Në qoftë se shitja është bërë mbi bazën e një modeli ose kampioni,
shitësi duhet të dorëzojë sende që kanë të njëjtat cilësi si të modelit
ose të kampionit.
Në qoftë se kontrata nuk përmend rregullat e vendosjes apo të
ambalazhimit të sendeve, quhet se këto sende nuk janë në përputhje me
kontratën po qe se nuk janë të vendosura ose të ambalazhuara sipas
mënyrës së zakonshme për sende të të njëjtit lloj ose, në mungesë të një
mënyre të tillë të zakonshme, në një mënyrë që të jetë e përshtatshme
për të ruajtur dhe për të mbrojtur sendet.
Shitësi nuk është përgjegjës për të metat e sendeve të cilat, në
momentin e përfundimit të kontratës, blerësi i dinte ose për të cilat
nuk ka marrë dijeni për fajin e vet, përveç kur të metat kanë të bëjnë
me cilësinë që sendet duhet të kishin pasur sipas kontratës ose sipas
njoftimit të shitësit.
Neni 716
Shitësi është përgjegjës për çdo mangësi ose mospërputhje që
ekzistonte në momentin e kalimit të rrezikut tek blerësi, edhe kur e
meta shfaqet pas këtij momenti.
Shitësi është përgjegjës edhe për mospërputhjen që vërtetohet pas
momentit të treguar në paragrafin e mësipërm e që vjen nga mospërmbushja
e një detyrimi çfarëdo të tij, duke përfshirë edhe garancinë sipas së
cilës, për një periudhë të caktuar kohe sendet do të mbeten të
përshtatshme për përdorimin e tyre normal ose për ndonjë përdorim të
posaçëm, ose do të ruajnë cilësinë dhe karakteristikat e caktuara.
Neni 717
Blerësi e humb të drejtën për të kundërshtuar për të metat e
sendit, në qoftë se nuk denoncon tek shitësi, duke specifikuar natyrën e
tyre, brenda dhjetë ditëve nga zbulimi, përveç kur palët ose ligji kanë
caktuar një afat tjetër.
Në çdo rast blerësi e humb të drejtën për të kundërshtuar për të metat e
sendit në qoftë se nuk e ushtron këtë të drejtë brenda dy vjetëve nga
data kur sendet i janë dorëzuar atij, po qe se ky afat nuk është në
kundërshtim me kohëzgjatjen e një garancie kontraktore.
Neni 718
Shitësi nuk mund të përfitojë nga rregullat e parashikuara në nenin
e mësipërm, në qoftë se të metat kanë të bëjnë me fakte për të cilat ka
dijeni ose që nuk mund të mos i dinte dhe nuk ia ka bërë të ditur
blerësit.
Neni 719
Shitësi duhet të dorëzojë sendet, të shkarkuara nga çdo e drejtë
apo pretendim i të tretëve, përveç kur në kontratë është parashikuar
ndryshe.
Neni 720
Blerësi duhet t’i bëjë të ditur shitësit të drejtat apo pretendimin
e të tretëve mbi sendin duke specifikuar natyrën e tyre, brenda një
afati të arsyeshëm nga momenti kur ka marrë dijeni ose duhej të merrte
dijeni për to, ndryshe humb të drejtat e parashikuara nga neni i
mësipërm.
Shitësi gjithashtu nuk mund të përdorë dispozitat e paragrafit të
mësipërm po qe se ishte në dijeni të të drejtave apo të pretendimeve të
të tretëve, apo të natyrës së tyre.
Neni 721
Blerësi mund të pezullojë pagimin e çmimit kur ka arsye të druhet
se sendi ose një pjesë e tij mund të rivendikohen nga të tretë, përveç
kur shitësi jep garancinë përkatëse.
Pagesa nuk mund të pezullohet në qoftë se rreziku njihej nga blerësi në momentin e shitjes.
Neni 722
Në rastin kur dorëzimi i sendeve me të meta përbën nje
mospërmbushje të rëndësishme të detyrimeve kontraktore, blerësi ka të
drejtë të kerkojë:
1. në momentin e denoncimit, të parashikuar në nenin 717 të këtij
Kodi ose brenda një periudhe kohe të arsyeshme nga ai denoncim,
dorëzimin e sendeve si shtesë apo zëvendësim;
2. eliminimin e të metave me anë të ndreqjes, kur kjo është e
arsyeshme të merret parasysh në gjithë rrethanat konkrete. Kërkesa për
ndreqjen duhet të bëhet në momentin e denoncimit të parashikuar në nenin
717 apo brenda një periudhe kohe të arsyeshme nga ky denoncim;
3. të kërkojë uljen e çmimit;
4. të deklarojë zgjidhjen e kontratës.
Blerësi mund t’i caktojë shitësit një afat të arsyeshëm për
përmbushjen e këtyre detyrimeve. Në varësi të afatit blerësi nuk mund të
përdorë asnjë mjet juridik për mospërmbushjen, përveç kur është
njoftuar nga shitësi se ky i fundit nuk do të përmbushë detyrimin në
afatin e caktuar.
Në çdo rast blerësi nuk humb të drejtën të kërkojë shpërblimin e dëmit.
Neni 723
Kur dorëzimi i sendeve me të meta përbën një mospërmbushje të parëndësishme të kontratës, blerësi mund të kërkojë:
1. heqjen ose ndreqjen e të metave të sendeve të dorëzuara, ose
2. uljen e çmimit.
Blerësi mund t’i caktojë shitësit një afat të arsyeshëm për
përmbushjen e këtyre detyrimeve. Në varësi të afatit, blerësi nuk mund
të shfrytëzojë asnjë mjet juridik për këtë mospërmbushje, përveç rastit
kur është njoftuar nga shitësi se ky nuk do të përmbushë detyrimin në
afatin e caktuar.
Kur shitësi nuk plotëson kërkesën e parashikuar në pikën 1 të këtij neni
brenda afatit të caktuar nga blerësi, ky i fundit mund të kërkojë uljen
e çmimit të sendeve të sipërme.
Në çdo rast blerësi nuk e humb të drejtën të kërkojë shpërblimin e dëmit.
Neni 724
Përveç zgjidhjes nga ligji të kontratës si rrjedhim i qenies të
afatit si kusht thelbësor, kur nuk është bërë dorëzimi i sendit, blerësi
mund ta deklarojë të zgjidhur kontratën në qoftë se shitësi nuk i
dorëzon sendet brenda afatit shtesë të caktuar nga blerësi ose në qoftë
se deklaron se nuk do të bëjë dorëzimin brenda këtij afati.
Neni 725
Në qoftë se shitësi i ka dorëzuar sendet, blerësi e humb të drejtën të shpallë të zgjidhur kontratën kur:
1. në rastin e dorëzimit të vonuar blerësi nuk ka kërkuar zgjidhjen e
kontratës brenda një kohe të arsyeshme, por jo më shumë se 15 ditë nga
momenti kur ka marrë dijeni se dorëzimi është kryer;
2. në rast mospërmbushje të ndryshme nga dorëzimi i vonuar, brenda një kohe të arsyeshme, por jo më shumë se 15 ditë:
a) nga momenti kur ka marrë dijeni ose duhej të kishte dijeni për mospërmbushje;
b) pas mbarimit të afatit shtesë eventualisht të caktuar prej tij sipas nenit 717 të këtij Kodi.
Neni 726
Në qoftë se shitësi dorëzon vetëm një pjesë të sendeve, apo në
qoftë se vetëm një pjesë e sendeve të dorëzuara është në përputhje me
kontratën, zbatohen nenet 717, 720 lidhur me pjesën që mungon ose nuk
përputhet.
Blerësi mund të shpallë kontratën tërësisht të zgjidhur vetëm në qoftë
se dorëzimi i pjesshëm ose jo në përputhje me kushtet e saj, përbën një
mospërmbushje të rëndësisë së veçantë ose thelbësore.
Neni 727
Në rastin kur blerësit i është marrë sendi si pasojë e të drejtave
që një i tretë ka paraqitur mbi të, shitësi është i detyruar të
shpërblejë dëmin sipas nenit 744.
Në rastin kur blerësit i është marrë pjesërisht sendi dhe se në bazë të
rrethanave ai nuk do të përfundonte kontratën, zbatohet paragrafi i
mësipërm.
Neni 728
Blerësi, i paditur nga një i tretë që pretendon se ka të drejta mbi
sendin e shitur, duhet ta thërasë shitësin në çështje. Kur nuk e bën
këtë dhe në dëm të tij është dhënë një vendim i formës së prerë, humbet
të drejtën e garancisë për evinksion në qoftë se shitësi provon se
ekzistonin arsye të mjaftueshme për të refuzuar kërkesën.
Blerësi që ka njohur vullnetarisht të drejtën e të tretit, e humb të
drejtën e garancisë për evinksion në qoftë se nuk provon se nuk
ekzistonin arsye të mjaftueshme për të penguar marrjen e sendit.
Neni 729
Në qoftë se blerësi ka shmangur marrjen e sendit me anën e pagimit
të një shume parash, shitësi mund të shkarkohet duke kthyer shumën e
paguar, interesat e saj, si dhe të gjitha shpenzimet.
Detyrimet e blerësit në shitjen e pasurisë së luajtshme
Neni 730
Detyrimi i blerësit për të paguar çmimin përfshin marrjen e masave
dhe respektimin e formaliteteve të kërkuara nga kontrata ose nga
dispozita të veçanta për kryerjen e pagimit.
Neni 731
Në rast se blerësi nuk është i detyruar të paguajë çmimin në një
vend tjetër të caktuar, ai duhet ta paguajë atë në vendbanimin ose
qendrën zyrtare të shitësit ose, kur pagimi duhet të bëhet në kohën e
dorëzimit të sendeve ose dokumenteve, në vendin e dorëzimit.
Neni 732
Në qoftë se blerësi nuk është i detyruar të paguajë çmimin në një
moment tjetër të caktuar, ai duhet ta paguajë atë kur shitësi vë në
dispozicion të tij sendet apo dokumentet që i përfaqësojnë. Në qoflë se
kontrata përfshin transportin e sendeve, shitësi mund të kryejë
spedicionin me kusht që sendet ose dokumentet, që i përfaqësojnë ata,
t’i dorëzohen blerësit para pagimit të çmimit.
Neni 733
Blerësi duhet të paguajë çmimin në datën e caktuar ose të
përcaktueshme në bazë të kontratës ose ligjit, pa qenë nevojë e kërkesës
së shitësit.
Neni 734
Detyrimi i blerësit për marrjen në dorëzim është kryerja e çdo
veprimi që mund të pritet prej tij në mënyrë të arsyeshme, për t’i
lejuar shitësit të bëjë dorëzimin dhe blerësi të tërheqë sendet.
Neni 735
Në qoftë se në kontratë parashikohet se blerësi duhet të përcaktojë
formën, madhësinë ose karakteristika të tjera të sendeve, dhe në qoftë
se ky nuk e bën këtë përcaktim në datën e caktuar ose brenda një kohe të
arsyeshme pas marrjes së kërkesës së shitësit, ky mund ta kryejë vetë
këtë përcaktim në përputhje me kërkesat e blerësit, për të cilat mund të
jetë në dijeni.
Në qoftë se shitësi e bën vetë përcaktimin, duhet të njoftojë blerësin
për rregullat e këtij përcaktimi dhe të vendosë një afat të arsyeshëm
brenda të cilit blerësi mund të kryejë një përcaktim tjetër. Në qoftë se
pasi të ketë marrë këtë njoftim, blerësi nuk e përdor këtë mundësi
brenda afatit të vendosur, përcaktimi i bërë nga shitësi është i
detyrueshëm.
Neni 736
Shitësi mund t’i caktojë blerësit një afat shtesë të arsyeshëm për
përmbushjen e detyrimeve të veta. Me përjashtim të rastit kur shitësi
nuk ka marrë njoftim nga blerësi se ky nuk do ta përmbushë detyrimin
brenda afatit të caktuar, gjatë kësaj periudhe, shitësi nuk mund të
përdorë asnjë mjet ligjor për përmbushjen e detyrimeve. Gjithsesi
shitësi nuk humbet të drejtën për të kërkuar shpërblimin e dëmit për
vonesën në përmbushje.
Neni 737
Shitësi mund ta deklarojë kontratën të zgjidhur:
1. në qoftë se mospërmbushja nga ana e blerësit e një detyrimi që
rrjedh nga kontrata ose nga ligji përbën një mospërmbushje me rëndësi të
veçantë ose thelbësore;
2. në qoftë se blerësi nuk përmbush detyrimet e tij për të paguar
çmimin ose për të marrë në dorëzim sendet në afatin shtesë të caktuar
nga shitësi, ose deklaron se nuk do ta bëjë brenda këtij afati.
Në qoftë se blerësi ka paguar çmimin, shitësi humb të drejtën të shpallë kontratën të zgjidhur po qe se këtë nuk e kërkon:
1. në rastin e përmbushjes së vonuar të detyrimeve të blerësit, para se të marrë dijeni për ekzekutimin e detyrimit;
2. në rastin e një mospërmbushjeje tjetër të ndryshme nga mospërmbushja e vonuar, brenda një kohe të arsyeshme:
a) që nga momenti kur ka marrë dijeni ose duhet të kishte marrë dijeni për një mospërmbushje të tillë;
b) pas mbarimit të afatit shtesë të caktuar prej tij, ose pasi blerësi
të ketë deklaruar se nuk do të përmbushë detyrimet e veta brenda këtij
afati shtesë.
Neni 738
Përveç marrëveshjeve ose zakoneve tregtare të kundërta, në qoftë se
sendet e shitura duhet të transportohen nga një vend në tjetrin, dhe
shitësi nuk është i detyruar të bëjë dorëzimin në një vend të caktuar në
kontratë, rreziku i kalon blerësit kur sendi i dorëzohet transportuesit
të parë për t’ia dërguar blerësit, edhe sikur sendet të jenë të
ngarkuara në mënyrë të paambalazhuar.
Në qoftë se shitësi detyrohet t’ia dorëzojë sendet transportuesit në një
vend të caktuar në kontratë, rreziku kalon tek blerësi vetëm kur sendet
i dorëzohen transportuesit në vendin e përmendur. Fakti që shitësi
është i autorizuar të mbajë dokumentet përfaqësuese të sendeve, nuk
ndikon në kalimin e rrezikut.
Neni 739
Në qoftë se shitësi ka kryer një mospërmbushje thelbësore të
kontratës, dispozitat e nenit të mëparshëm nuk privojnë mjetet juridike
që blerësi ka në dorë ndaj mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore.
Dispozita të përbashkëta për detyrimet e shitësit dhe të blerësit
Neni 740
Njëra palë mund të pezullojë përmbushjen e detyrimeve të veta në
qoftë se, pas përfundimit të kontratës, del qartë se pala tjetër nuk do
të përmbushë pjesën thelbësore të detyrimeve të saj si rrjedhim:
1. të një pamundësie të rëndë në aftësinë e vet për ta përmbushur ose në aftësinë e vet paguese;
2. të mënyrës në të cilën përgatitet për të filluar ose vazhduar
zbatimin e kontratës. Në qoftë se shitësi i ka shitur sendet, para se të
shfaqeshin kushtet e përmendura në paragrafin e mësipërm, ai mund të
kundërshtojë dorëzimin e sendeve blerësit edhe sikur ky të zotërojë një
dokument që e legjitimon atë për t’i marrë.
Një kundërshtim i tillë ka efekt ekskluzivisht në marrëdhëniet midis
blerësit dhe shitësit. Pala që pezullon zbatimin duhet të njoftojë
menjëherë palën tjetër dhe duhet të vazhdojë përmbushjen në qoftë se
pala tjetër jep garanci të përshtatshme lidhur me përmbushjen e
detyrimeve të saj.
Neni 741
Në rastin e një kontrate shitjeje me dorëzime të pjesshme, kur
mospërmbushja nga ana e njërës palë kontraktuese ndaj njërit prej
detyrimeve të saj lidhur me një dorëzim, përbën një mospërmbushje me
rëndësi të veçantë të kontratës që lidhet me këtë dorëzim, pala tjetër
mund ta shpallë kontratën të zgjidhur për sa i takon këtij dorëzimi.
Në qoftë se mospërmbushja nga ana e njërës palë kontraktuese e
detyrimeve të veta lidhur me një dorëzim, i jep palës tjetër arsye të
bazuara për të gjykuar se do të ndodhë një mospërmbushje thelbësore
lidhur me dorëzimet e ardhshme, kjo mund ta shpallë kontratën të
zgjidhur për të ardhmen, mjafton që këtë ta bëjë brenda një kohe të
arsyeshme.
Blerësi që e shpall kontratën të zgjidhur për sa i takon një dorëzimi
mundet, në të njëjtën kohë, të shpallë zgjidhjen për dorëzimet e bëra më
parë ose për dorëzimet e ardhshme në qoftë se për shkak të ndërvarësisë
së tyre këto dorëzime nuk do të mund të përdoreshin për qëllimin e
caktuar nga palët në kontratë.
Neni 742
Në rastin e zgjidhjes së kontratës, shitësi duhet të kthejë çmimin
dhe t’i paguajë blerësit shpenzimet dhe pagimet e bëra ligjërisht.
Blerësi duhet të kthejë sendin, në qoftë se ky nuk ka humbur ose është shkatërruar si rrjedhim i veseve të tij.
Neni 743
Në qoftë se njëra palë vonon të paguajë çmimin ose çdo shumë
tjetër, pala tjetër ka të drejtë të kërkojë kamatat për këto shuma pa
cenuar shpërblimin e dëmit.
Neni 744
Shitësi duhet t’i kthejë blerësit çmimin e paguar, edhe sikur
sendit t’i jetë pakësuar vlefta ose të jetë dëmtuar. Në qoftë se ulja e
vleftës ose dëmtimi vijnë si pasojë e një veprimi të blerësit, nga shuma
e mësipërme duhet zbritur përfitimi që ka nxjerrë blerësi, përveç sa
parashikohet në nenin 640.
Neni 745
Në qoftë se kontrata është zgjidhur dhe po qe se, në mënyrë të
arsyeshme dhe brenda një afati të arsyeshëm pas zgjidhjes, blerësi ka
kryer një blerje për të zëvendësuar ose shitësi i ka rishitur sendet,
pala që kërkon dëmshpërblimin mund të marrë diferencën midis çmimit të
parashikuar në kontratë dhe çmimit të shitblerjes zëvendësuese, si dhe
çdo shpërblim tjetër që mund të kërkohet në bazë të nenit të mësipërm.
Shitja me rezervë e pronës
Neni 746
Kur çmimi i shitjes paguhet me këste, blerësi e fiton pronësinë e
sendit me pagimin e këstit të fundit të çmimit, duke marrë përsipër
rreziqet që në çastin e dorëzimit. Kalimi me rezervë i pronësisë me
kushtin e sipërm duhet të pasqyrohet në kontratë.
Neni 747
Kalimi i pronësisë sipas dispozitës së mësipërme, mund t’u
kundrejtohet kreditorëve të blerësit, kur rrjedh nga një akt i shkruar
në datë të saktë përpara masës për sigurimin e kredisë.
Kur objekti i shitjes janë sende të paluajtshme ose sende të luajtshme të regjistruara, zbatohen dispozitat mbi regjistrimin.
Neni 748
Mospagimi vetëm i një kësti, që nuk kalon një të tetën e çmimit,
nuk sjell zgjidhjen e kontratës, dhe blerësi ruan të drejtën e afatit
lidhur me këstet e mëvonëshme, pavarësisht nga ndonjë marrëveshje e
kundërt.
Neni 749
Kur zgjidhja e kontratës është rrjedhim i mospërmbushjes së
detyrimeve të blerësit, shitësi duhet të kthejë pagesat e bëra, përpos
të drejtës për një shpërblim për përdorimin e sendit, apo shpërblimit të
dëmit.
Kur në kontratë është parashikuar që pagesat e bëra t’i mbetë, shitësit
me titull dëmshpërblimi, gjykata sipas rrethanave të çështjes mund të
pakësojë këtë dëmshpërblim.
Neni 749/a
(Shtuar me ligjin nr. 8536, datë 18.10.1999, neni 4)
Rregullat e parashikuara nga nenet 746, 747, 748 dhe 749 nuk zbatohen
për shitjet me rezervë të pronës, lidhur me transaksione financiare me
barrë siguruese, për të cilat zbatohen rregullat e përcaktuara me ligj
të veçantë.
Shitja e sendeve të paluajtshme
Neni 750
Shitja e sendeve të paluajtshme kryhet sipas mënyrave të parashikuara në nenin 83 të këtij Kodi, përndryshe është e pavlefshme.
Neni 751
Shitja me kusht e sendeve të paluajtshme regjistrohet në regjistrat e pasurisë së paluajtshme pasi të jetë vërtetuar kushti.
Neni 752
Kur një send i paluajtshëm i caktuar shitet, duke treguar përmasat
dhe me një çmim të vendosur mbi bazën e një pagese për çdo njësi matëse,
blerësi ka të drejtë për një zbritje të çmimit, në qoftë se madhësia
efektive e sendit të paluajtshëm është më e vogël se ajo e treguar në
kontratë.
Në qoftë se përmasat e sendit rezultojnë më të mëdha se ato që tregohen
në kontratë, blerësi duhet të paguajë shtesën e çmimit, por ka të drejtë
të heqë dorë nga kontrata kur teprica tejkalon një të njëzetën pjesë të
madhësisë së deklaruar.
Neni 753
Në rastin kur çmimi përcaktohet në lidhje me vetë sendin e
paluajtshëm dhe jo me madhësinë e tij, edhe pse kjo është dhënë, nuk
bëhet ulje ose ngritje çmimi, përveç kur madhësia reale është më e vogël
ose më e madhe se një e njëzeta pjesë e asaj të treguar në kontratë.
Në rastin kur duhet paguar një çmim shtesë, blerësi mund të zgjedhë ose heqjen dorë nga kontrata ose nga pagimi i shtesës.
Neni 754
Në qoftë se dy ose më shumë sende të paluajtshme janë shitur me të
njëjtën kontratë për një çmim të vetëm dhe të njëjtë, duke treguar
madhësinë e secilit prej tyre, dhe del se sasia është më e vogël tek
njëri dhe më e madhe tek tjetri, bëhet kompensimi deri në sasinë e
duhur; e drejta për shtesën ose për pakësimin e çmimeve bëhet në
përputhje me dispozitat e caktuara më sipër.
Neni 755
E drejta e shitësit për shtesën dhe e blerësit për pakësimin e
çmimit ose për heqjen dorë nga kontrata parashkruhet dy vjet pas
dorëzimit të sendit të paluajtshëm.
Neni 756
E drejta e blerësit për të kundërshtuar të metat e sendit të
paluajtshëm, parashkruhet me kalimin e pesë vjetëve nga momenti i
dorëzimit të sendit.
KREU II - SHKËMBIMI
Neni 757
Shkëmbimi është kontrata që ka për objekt kalimin e ndërsjellë të
pronësisë së sendeve ose të të drejtave të tjera nga njëri kontraktues
tek tjetri.
Neni 758
Shkëmbyesi, në rast se ka pësuar marrjen e sendit dhe nuk ka
ndërmend ta rimarrë atë, ka të drejtë të marrë vleftën e tij, sipas
dispozitave të caktuara për shitjen, si dhe shpërblimin e dëmit.
Neni 759
Shpenzimet e shkëmbimit dhe shpenzime të tjera shtesë janë në
ngarkim të të dy palëve në pjesë të barabarta, përveç kur ka marrëveshje
të kundërt.
Neni 760
Rregullat e caktuara për kontratën e shitjes zbatohen edhe për kontratën e shkëmbimit, për aq sa janë në pajtim me atë.
KREU III - DHURIMI
Neni 761
Dhurimi është një kontratë me anë të së cilës njëra palë i kalon në
pronësi pa shpërblim palës tjetër një send të caktuar ose një të drejtë
reale të cilat ajo i pranon.
Nuk përbën dhurim heqja dorë nga një e drejtë para se të fitohet ajo, ose heqja dorë nga trashëgimi.
Neni 762
Dhurimi nuk mund të përmbajë veçse pasurinë e tashme të dhuruesit.
Në qoftë se përfshin pasurinë e ardhshme, dhurimi është i pavlefshëm
përsa i takon kësaj.
Neni 763
Dhurimi, që ka për objekt detyrimet periodike, shuhet me vdekjen e
dhuruesit, përveç rasteve kur në kontratë është parashikuar ndryshe.
Neni 764
Dhurimi i sendeve të paluajtshme duhet të bëhet me akt publik dhe të regjistrohet, përndryshe është i pavlefshëm.
Pranimi mund të bëhet me po atë akt, ose me akt të mëvonshëm.
Në këtë rast dhurimi quhet i përfunduar nga momenti kur akti i pranimit i është njoftuar dhuruesit.
Në qoftë se ka për objekt sende të luajtshme, ai është i vlefshëm kur
ato specifikohen duke treguar edhe vleftën e tyre në kontratën e
dhurimit.
Kontrata quhet e lidhur nga çasti i dorëzimit të sendit.
Përpara se kontrata të jetë lidhur, dhuruesi ose pranuesi i dhurimit mund të revokojnë deklaratën e tyre.
Neni 765
Dhurimi mund të kundërshtohet për lajthitje të shkakut, kur ky
lidhet me faktin ose me të drejtën, po qe se shkaku rrjedh nga akti dhe
ka shtyrë dhuruesin të bëjë dhurimin.
Neni 766
Dhuruesi për mospërmbushjen ose vonesën në dhurim, është përgjegjës
vetëm për qëndrime të kryera me dashje ose me pakujdesi të rëndë.
Neni 767
Dhuruesi mund të vërë si kusht kthimin e sendeve të dhuruara, si
për shkak të vdekjes së përparshme të pranuesit të dhurimit, ashtu edhe
të vdekjes së përparshme të pasardhësve të tij.
Kthimi mund të ndodhë vetëm në favor të dhuruesit.
Marrëveshja në favor të të tjerëve konsiderohet si e palidhur.
Neni 768
Dhurimi mund të rëndohet me kusht ose me barrë. Dhuruesi është i
detyruar të përmbushë barrën brenda kufijve të vleftës së sendit të
dhuruar.
Për të përmbushur barrën mund të veprojë, përveç dhuruesit dhe çdokush i
interesuar. Zgjidhja e kontratës së dhurimit për mospërmbushje të
barrës mund të kërkohet nga dhuruesi ose trashëgimtarët e tij, në qoftë
se është parashikuar në aktin e dhurimit.
Barra e paligjshme ose e pamundur quhet e paqenë, ajo gjithsesi e bën të
paqenë dhurimin në qoftë se ka përbërë të vetmin shkak përcaktues të
kontratës.
Neni 769
Dhuruesi detyrohet t’i japë garanci pranuesit të dhurimit për
përkatësinë e sendit të dhuruar dhe zhveshjen që mund të pësojë nga të
tjerët për sendet e dhuruara, në këto raste:
1. në qoftë se ka premtuar shprehimisht garancinë;
2. në qoftë se marrja e sendit varet nga mashtrimi e nga qëndrime personale të tij;
3. në qoftë se dhurimi i ngarkon barrë pranuesit të dhurimit ose
dhurimi është për shkak shpërblimi, raste në të cilat garancia vihet
deri në vleftën e barrës ose të tërësisë së premtimeve të marra nga
dhuruesi.
Neni 770
Garancia e dhuruesit nuk shtrihet në të metat e asaj çka është
dhuruar, përveç kur dhuruesi ka vepruar me mashtrim, si dhe kur ka
marrëveshje të posaçme.
Neni 771
Dhuruesi, për dhurimet që nuk janë të zakonshme ose që nuk janë
bërë për shpërblim, mund të kërkojë revokimin e dhurimit kur ai që ka
marrë dhurimin:
a) me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë dhuruesin, bashkëshortin ose fëmijët, ose prindërit e tij;
b) pa të drejtë nuk i jep dhuruesit ushqim kur është i detyruar sipas ligjit.
Padia për revokimin e dhurimit duhet të ngrihet brenda një viti nga
dita që dhuruesi ka marrë njoftim për shkaqet që i japin të drejtë që të
kërkojë revokimin e dhurimit.
Padia e filluar mund të vazhdohet edhe nga trashëgimtarët e dhuruesit
ose mund të ngrihet nga vetë këta, në rast se dhuruesi ka vdekur brenda
vitit, nga dita që ka lindur shkaku për të ngritur padinë.
Heqja dorë që më parë nga padia është e pavlefshme.
Revokimi i dhurimit nuk cenon të drejtat që kanë fituar të tretët mbi sendin e dhuruar para se të ngrihet padia.
KREU IV - FURNIZIMI
Neni 772
Furnizimi është një kontratë me të cilën njëra palë detyrohet,
kundrejt pagesës së një çmimi, të kryejë në dobi të palës tjetër
furnizime periodike ose të vazhdueshme të sendeve.
Sendet e furnizuar mund të jenë të luajtshme ose të paluajtshme, gjithashtu mund të jenë në trajtë energjie ose titujsh krediti.
Neni 773
Kur nuk është përcaktuar sasia e furnizimit nënkuptohet se
marrëveshja është për sasinë që përkon me nevojat normale të palës që
furnizohet deri në kohën e përfundimit të kontratës.
Në qoftë se palët kanë vendosur vetëm kufirin maksimal dhe minimal për
furnizimin ose për shërbimet e veçanta, i takon atij që ka të drejtën e
furnizimit të vendosë brenda kufijve të mësipërm për sasinë e duhur.
Në qoftë se sasia e furnizimit duhet të përcaktohet sipas nevojave mbi
një sasi minimale të caktuar në kontratë, pala që furnizohet përgjigjet
për sasinë përkatëse sipas nevojave në rast se tejkalohet sasia
minimale.
Neni 774
Në furnizimin me karakter periodik, në qoftë se çmimi do të
përcaktohet sipas nenit 707 të këtij Kodi, merret parasysh koha e
mbarimit të furnizimeve të veçanta dhe vendi ku këto duhet të kryhen.
Neni 775
Në furnizimin me karakter periodik, çmimi përkon me dokumentin e furnizimeve të veçanta.
Në furnizimin me karakter të vazhdueshëm çmimi paguhet sipas afateve të zakonshme.
Neni 776
Afati i caktuar në kontratë për furnizime të veçanta prezumohet si i vendosur në dobi të dy palëve.
Në qoftë se palës që furnizohet i është dhënë e drejta të caktojë afatin
e furnizimeve të veçanta, ajo duhet t’i njoftojë datën furnizuesit me
anë të një paralajmërimi në një kohë të arsyeshme.
Neni 777
Në rast mospërmbushjeje prej njërës nga palët të detyrimeve të
veçanta, pala tjetër mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës, në qoftë se
mospërmbushja ka një rëndësi të veçantë dhe është e tillë sa që dëmton
besimin në sigurinë e përmbushjeve të mëpasshme.
Neni 778
Në qoftë se pala që ka të drejtë për t’u furnizuar nuk e ka
përmbushur detyrimin dhe mospërmbushja është me pak rëndësi, furnizuesi
nuk mund të pezullojë zbatimin e kontratës pa bërë më parë një
paralajmërim të arsyeshëm.
Neni 779
Në rast se në kontratë është vendosur kushti i ekskluzivitetit në
favor të furnizuesit, pala tjetër nuk mund të përfitojë furnizime të të
njëjtit lloj nga të tretët dhe as mund të realizojë, me mjetet e veta,
prodhimin e sendeve që formojnë objektin e kontratës, në qoftë se për
këtë nuk ka marrëveshje të kundërt ose kur në ligj disponohet ndryshe.
Neni 780
Në qoftë se kushti i ekskluzivitetit është vendosur në dobi të
palës që ka të drejtë për t’u furnizuar, furnizuesi nuk mund të bëjë as
drejtpërdrejt dhe as tërthorazi furnizime të të njëjtit lloj e që
formojnë objektin e kontratës, në zonën për të cilën është dhënë
ekskluziviteti dhe brenda afatit të kontratës.
Kushti i ekskluzivitetit, që përmbahet në një kontratë furnizimi, përbën
një kusht barrësor që kërkon miratim të posaçëm me shkrim.
Neni 781
Pala që ka të drejtën për t’u furnizuar, kur merr përsipër
detyrimin për të shtuar shitjen e sendeve për të cilat ka ekskluzivitet,
në zonën që i është caktuar, përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga
mospërmbushja e këtij detyrimi, edhe në qoftë se kontratën e ka zbatuar
për sasinë minimale që është caktuar.
Neni 782
Në qoftë se kohëzgjatja e furnizimit nuk është vendosur, secila nga
palët mund të tërhiqet nga kontrata, duke njoftuar paraprakisht
furnizuesin brenda afatit të vendosur prej tyre dhe, në mungesë të tij,
brenda një afati të arsyeshëm, duke marrë parasysh edhe natyrën e
furnizimit.
Neni 783
Në kontratën e furnizimit zbatohen edhe dispozitat që rregullojnë
kontratën për furnizimet e veçanta, për aq sa nuk vijnë në kundërshtim
me dispozitat e mësipërme.
KREU V - ENFITEOZA
Kuptimi i enfiteozës
Neni 784
Enfiteoza është një kontratë, me të cilën një personi i jepet e
drejta të përdorojë e të përmirësojë një pasuri të paluajtshme, kundrejt
një shpërblimi periodik në të holla ose në natyrë.
Neni 785
Kohëzgjatja e enfiteozës caktohet në kontratë.
Neni 786
Kontrata e enfiteozës duhet të bëhet në formën që kërkohet për kalimin e pronësisë për pasuritë e paluajtshme.
Të drejtat e detyrimet e pronarit dhe të enfiteozëmarrësit
Neni 787
Enfiteozëmarrësi e gëzon sendin sikurse dhe pronari, me përjashtim
të kufizimeve të parashikuara në kontratën për krijimin e enfiteozës.
Megjithatë ai nuk mundet që, pa pëlqimin e pronarit, të përdorë sendin në një destinacion tjetër.
Neni 788
Enfiteozëmarrësit i përkasin frytet natyrore të ndara, frytet
civile që janë bërë të kërkueshme gjatë enfiteozës dhe të drejtat e
përdorimit të nëntokës në kufijtë e parashikuar me ligj, përveç kur në
kontratë është parashikuar ndryshe.
Neni 789
Kur prona në enfiteozë humbet tërësisht, enfiteoza shuhet dhe enfiteozëmarrësi shkarkohet nga detyrimi përkatës për të ardhmen.
Kur prona humbet ose dëmtohet në pjesë të dukshme e të rëndësishme të
saj, aq sa nuk mund të sigurohen të ardhura sa të shlyhet shpërblimi i
caktuar në kontratë, mund të kërkohet një ulje e tij ose prishja e
kontratës, duke shlyer palët detyrimet reciproke.
Kërkesa duhet të bëhet brenda një viti nga dita që ka ndodhur humbja ose dëmtimi i pronës në enfiteozë.
Enfiteozëmarrësi nuk mund të kërkojë shkarkimin nga detyrimi për pagimin
e shpërblimit ose uljen e tij, për shkak mosprodhimi ose humbje të
fryteve, qoftë edhe për rast fator.
Neni 790
Dhënia e pronës në nënenfiteozë nuk lejohet.
Neni 791
Enfiteozëmarrësi mund të kërkojë në çdo kohë zgjidhjen e kontratës
dhe mbarimin e enfiteozës, përveç kur parashikohet ndryshe në kontratë.
Enfiteozëdhënësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës dhe mbarimin e
enfiteozës, kur enfiteozëmarrësi nuk ka shlyer detyrimin përkatës për dy
periudha rresht, dëmton ose nuk mirëmban e përmirëson pronën e nuk
përmbush në mënyrë të dukshme detyrimet që rrjedhin nga kontrata.
Neni 792
Tatimet dhe detyrimet e tjera që rëndojnë mbi pronën janë në
ngarkim të enfiteozëmarrësit, përveç kur në ligj parashikohet ndryshe.
Kur në kontratë këto detyrime janë lënë në ngarkim të pronarit, ato nuk mund të kalojnë shpërblimin e caktuar për enfiteozën.
Neni 793
Në rast tjetërsimi të enfiteozës, enfiteozëmarrësi i ri dhe ai
përpara tij, detyrohen solidarisht për shpërblimin e papaguar të
enfiteozës, përveç kur enfiteozëmarrësit të mëparshëm i është njoftuar
akti i tjetërsimit prej enfiteozëdhënësit.
Në rast tjetërsimi të një të drejte të tillë prej pronarit, fituesi nuk
mund të kërkojë përmbushjen e detyrimeve nga enfiteozëmarrësi përpara se
atij t’i njoftohet akti i tjetërsimit.
Neni 794
Kur në kontratë nuk parashikohet ndryshe, enfiteozëmarrësi gjatë
vazhdimit të enfiteozës ose kur ajo pushon, ka të drejtë t’i heqë
ndërtimet, punimet e tjera e mbjelljet e kryera jashtë kushteve të
enfiteozës ose që i janë blerë pronarit, por gjithnjë pa dëmtuar pronën e
duke kthyer atë në gjendjen e mëparshme.
Neni 795
Kur zgjidhet kontrata, enfiteozëmarrësit i takon vlefta e
përmirësimeve të kryera në masën që është rritur vlefta e pronës, kur
ajo ekziston në kohën e kthimit të saj.
Neni 796
Enfiteozëmarrësi ka të drejtë të mbajë sendin e dhënë në enfiteozë,
deri në shlyerjen e kredive që rrjedhin prej saj. Çdo marrëveshje e
kundërt është e pavlefshme.
Pronari ka të drejtë të mbajë sendet që i takojnë enfiteozëmarrësit deri në shlyerjen e detyrimeve ndaj tij.
Neni 797
Kur lind nevoja të bëhen ndreqje të jashtëzakonshme në pronën e
dhënë në enfiteozë, enfiteozëmarrësi është i detyruar të njoftojë
pronarin dhe t’i japë atij mundësi për t’i kryer ato.
Enfiteozëdhënësi nuk është i detyruar të kryejë ndonjë riparimt ë zakonshëm.
Neni 798
Personat që gëzojnë bashkërisht një të drejtë enfiteotike përgjigjen solidarisht për pagimin e shpërblimit për enfiteozën.
Kur prona e dhënë në enfiteozë ndahet dhe ata gëzojnë pjesë të saj,
secili përgjigjet për detyrimet që rrjedhin nga enfiteoza,
proporcionalisht me vleftën e pjesës që gëzon.
Neni 799
Dispozitat e këtij kreu zbatohen edhe kur enfiteoza gëzohet nga një
ose disa persona juridikë, përveç kur ajo ndalohet nga ligji.
Neni 800
Enfiteozëmarrësi mund të fitojë në dobi të pronës servitute aktive
dhe ta ngarkojë atë me servitute pasive, për një kohë sa parashikohet në
kontratë, gjithnjë duke njoftuar enfiteozëdhënësin me shkresë.
KREU VI - QIRAJA DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 801
Qiraja është kontrata me të cilën njëra palë (qiradhënësi)
detyrohet t’i japë palës tjetër (qiramarrësit) një send të caktuar,
nëgëzim të përkohshëm kundrejt një shpërblimi të caktuar.
Neni 802
Qiradhënësi duhet:
1. t’i dorëzojë qiramarrësit sendin në kohën e caktuar dhe në gjendje që
të lejojë përdorimin për të cilën palët janë marrë vesh;
2. të kujdeset për të mbajtur sendin në po këtë gjendje;
3. të garantojë gëzimin e qetë gjatë periudhës së qirasë.
Neni 803
Qiraja nuk mund të lidhet për një kohë më të gjatë se tridhjetë
vjet, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligji. Në qoftë se ajo është
lidhur për një periudhë kohe më të gjatë ose pa afat, ka fuqi vetëm për
afatin e sipërm.
Për ndërtesat që përdoren për banim, kontrata e qirasë nuk mund të lidhet për një kohë më të gjatë se pesë vjet.
Për sende të luajtshme të dhëna për pajisjen e një sendi të paluajtshëm,
afati është baraz me kohëzgjatjen e qirasë së këtij të fundit.
Kontrata e qirasë, për një kohë më të gjatë se një vit, duhet bërë me shkresë.
Neni 804
Qiramarrësi, që ka ekzekutuar në rregull detyrimet që kanë rrjedhur
nga kontrata, ka të drejtën që të preferohet ndaj personave të tjerë në
rast se, me mbarimin e kohës së qerasë, do të lidhet kontrata e re.
Të drejta e detyrime të qiradhënësit
Neni 805
Qiradhënësi duhet të kryejë, gjatë periudhës së qirasë, të gjitha
riparimet, me përjashtim të punimeve për mirëmbajtjen e përditshme që
janë në ngarkim të qiramarrësit.
Për sende të luajtshme, shpenzimet për ruajtjen e për mirëmbajtjen e
zakonshme janë në ngarkim të qiramarrësit, përveçse kur me marrëveshje
parashikohet ndryshe.
Kur sendi i dhënë me qira ka nevojë për riparime, që nuk janë në ngarkim
të qiramarrësit, ky është i detyruar të njoftojë qiradhënësin.
Në rast riparimesh urgjente qiramarrësi mund t’i kryejë ato
drejtpërdrejt, kundrejt kthimit të shpenzimeve, me kushte që të njoftojë
menjëherë qiramarrësin.
Neni 806
Në qoftë se në kohën e dorëzimit, sendi i dhënë me qira cenohet nga
të meta që ulin në mënyrë të dukshme vlerën e përdorimit të
kontraktuar, qiramarrësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës, ose
zbritjen e çmimit të qerasë, përveç kur ai ka patur dijeni për të metën
ose ajo është lehtësisht e dallueshme.
Qiradhënësi është i detyruar t’i paguajë qiramarrësit dëmet e ardhura
nga veset e sendit, në qoftë se nuk provon se, pa patur faj, nuk ka
patur dijeni për këto vese në momentin e dorëzimit.
Në qoftë se veset e sendit vënë para një rreziku të madh shëndetin e
qiramarrësit ose të familjes apo të vartësve të tij, qiramarrësi mund të
kërkojë zgjidhjen e kontratës edhe po qe se veset njiheshin prej tij.
Neni 807
Marrëveshja, me të cilën përjashtohet ose kufizohet përgjegjësia e
qiradhënësit për veset e sendit, nuk ka efekt në qoftë se qiradhënësi ia
ka fshehur me keqbesim qiramarrësit ato, ose kur veset janë të tilla që
të pengojnë gëzimin e sendit.
Neni 808
Dispozitat e neneve të mësipërme janë të zbatueshme edhe në rastet e veseve të sendit të ndodhura gjatë qirasë.
Neni 809
Në qoftë se gjatë qirasë sendi i dhënë me qira ka nevojë për
riparime urgjente, qiramarrësi duhet të lejojë kryerjen e tyre. Në qoftë
se sendi nuk riparohet brenda një kohe të arsyeshme, qiramarrësi ka të
drejtë për një ulje përpjesëtimore të qirasë.
Neni 810
Qiradhënësi detyrohet të garantojë qiramarrësin nga shqetësimet që
pakësojnë vlerën e përdorimit dhe të gëzimit të sendit, të shkaktuara
nga të tretët që pretendojnë se kanë të drejta mbi të njëjtin send.
Qiradhënësi nuk është i detyruar të garantojë qiramarrësin nga
shqetësimet e të tretëve që nuk pretendojnë të kenë të drejta mbi
sendin.
Në këtë rast qiramarrësi ruan të drejtën të ngrejë padi kundër të tretëve në emrin e tij.
Neni 811
Në qoftë se të tretët që krijojnë shqetësime pretendojnë se kanë të
drejta mbi sendin e dhënë me qira, qiramarrësi është i detyruar ta
njoftojë menjëherë qiradhënësin, përndryshe ngarkohet me shpërblimin e
dëmit.
Në qoftë se të tretët veprojnë në rrugë gjyqësore, qirradhënësi është i detyruar të marrë pjesë në proces, po qe se thirret.
Të drejta e detyrime të qiramarrësit
Neni 812
Qiramarrësi duhet:
1. të marrë në dorëzim sendin dhe ta përdorë për qëllimin që është
parashikuar në kontratë dhe, kur nuk është parashikuar, sipas qëllimit
që del nga natyra e sendit;
2. të kryejë pagesën në afatet e caktuara.
Neni 813
Qiramarrësi përgjigjet për humbjen dhe dëmtimin e sendit të cilat ndodhin gjatë kontratës së qirasë.
Neni 814
Qiramarrësi duhet t’ia kthejë qiradhënësit sendin në të njëjtën
gjendje që e ka marrë, në përputhje me përshkrimin e bërë nga palët në
kontratë, përveç dëmtimit ose konsumimit të zakonshëm nga përdorimi i
sendit në përputhje me kontratën.
Në mungesë të përshkrimit në kontratë prezumohet se qiramarrësi e ka marrë sendin në gjëndje të mirë përdorimi.
Qiramarrësi nuk përgjigjet për humbjen ose dëmtimin e shkaktuar si
pasojë e vjetërsisë. Sendet e luajtshme duhet të kthehen në vendin ku
janë marrë në dorëzim.
Neni 815
Qiramarrësi që është në vonesë për të kthyer sendin, detyrohet t’i
japë qiradhënësit pagesën e caktuar deri në dorëzim, përveç detyrimit
për të shpërblyer dëmin përkatës.
Neni 816
Përveç kur parashikohet ndryshe në ligj, qiramarrësi nuk ka të
drejtë të shpërblehet për përmirësimet e bëra sendit të marrë me qira.
Por në qoftë se ka patur pëlqimin e qiradhënësit, ky është i detyruar
t’i paguajë një kompensim që i korrespondon shumës më të vogël midis
shumës së shpenzimeve dhe vleftës së rezultatit të dobishëm në kohën e
dorëzimit. Kur qiramarrësi nuk ka të drejtë kompensimi, vlefta e
përmirësimeve mund të kompensojë dëmtimet që kanë ndodhur për
pakujdesinë e rëndë të qiramarrësit.
Neni 817
Qiramarrësi që ka bërë shtesa në sendin e marrë me qira, ka të
drejtë t’i heqë ato në mbarim të qirasë, kur kjo mund të kryhet pa
dëmtuar sendin, përveç kur pronari pranon t’i mbajë vetë shtesat. Në
këtë rast ky duhet t’i paguajë qiramarrësit një kompensim të barabartë
me shumën më të vogël midis shpenzimeve dhe vleftës të shtesave në kohën
e ridorëzimit.
Në qoftë se shtesat nuk mund të ndahen pa dëmtuar sendin dhe përbëjnë
një përmirësim të tij, zbatohen rregullat e parashikuara nga neni 810.
Neni 818
Qiramarrësi, veç marrëveshjes së kundërt, ka të drejtë të japë me
nënqira sendin që ka marrë me qira, por nuk mund t’ia kalojë kontratën
një tjetri pa pëlqimin e qiradhënësit.
Për sende të luajtshme dhënia me nënqira bëhet me pëlqimin e qiradhënësit.
Neni 819
Qiradhënësi, pa cenuar të drejtat e tij ndaj qiramarrësit, mund të
ngrejë padi kundër nënqiramarrësit për të kërkuar çmimin e nënqirasë për
të cilën ky i fundit është ende debitor në momentin e ngritjes së
padisë dhe për ta detyruar atë të përmbushë të gjitha detyrimet e tjera
që rrjedhin nga kontrata e nënqirasë.
Shpallja e pavlefshme e kontratës së qirasë ose zgjidhja e saj ka efekt
edhe ndaj nënqiramarrësit, dhe vendimi i marrë midis qiradhënësit dhe
qiramarrësit ka efekt edhe ndaj tij.
Neni 820 - Mbarimi i kontratës së qirasë
Qiraja me afat të caktuar nga palët, pushon me mbarimin e afatit, pa qënë e nevojshme shpallja e mbarimit të saj.
Qiraja në të cilën nuk caktohet afat nuk pushon, në qoftë se përpara
afatit të vendosur sipas nenit 803 të këtij Kodi njëra nga palët njofton
palën tjetër se heq dorë nga qiraja.
Neni 821 - Përsëritja e kontratës së qirasë
Qiraja përtërihet në qoftë se, pasi të ketë mbaruar afati i saj,
qiramarrësit i lihet në përdorim sendi i dhënë me qira pa kundërshtimin e
qiradhënësit.
Qiraja e re rregullohet me të njëjtat kushte si e mëparshmja, por kohëzgjatja e saj caktohet si për qiratë me afat të caktuar.
Marrëdhëniet me të tretët
Neni 822
Kontrata e qirasë mund t’i kundrejtohet të tretit që ka fituar
sendin e dhënë me qira, me kusht që kontrata të ketë një datë të saktë
para tjetërsimit të sendit.
Dispozitat e paragrafit të mësipërm nuk zbatohen për qiranë e sendeve të
luajtshme të paregjistruara në regjistrat publikë, në qoftë se fituesi
ka siguruar posedimin me mirëbesim.
Qiraja e sendeve të paluajtshme të paregjistruara nuk i kundrejtohet
fituesit të tretë, veç brenda afatit të 9 vjetëve nga fillimi qirasë.
Fituesi duhet të respektojë qiranë në çdo rast në qoftë se ka marrë përsipër detyrimin ndaj tjetërsuesit.
Neni 823
Në qoftë se qiraja nuk ka datë të saktë, por mbajtja e saj prej
qiramarrësit si datë është përpara kalimit të pronësisë, fituesi nuk
është i detyruar të respektojë qiranë, veçse për kohëzgjatjen që përkon
me atë të vendosur për qiratë me afat të pacaktuar.
Neni 824
Në qoftë se qiramarrësi është përjashtuar nga fituesi, sepse
kontrata e qirasë nuk kishte një datë të saktë përpara kalimit të
pronësisë, qiradhënësi detyrohet të shpërblejë dëmin.
Neni 825
Fituesi është i detyruar të respektojë kontratën e qirasë qysh nga
dita e fitimit për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kontrata e
qirasë.
A. Qiraja për pasuritë e paluajtshme me natyrë bujqësore
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 826
Kontrata e qirasë të pasurisë së paluajtshme që shërben për
kultivimin bujqësor për një kohë mbi nëntë vjet, duhet të bëhet me akt
noterial dhe të regjistrohet në regjistrin publik.
Neni 827
Qiradhënësi me anë inventari i dorëzon qiramarrësit pasurinë e
paluajtshme si tokën bujqësore, kullotat, ndërtesat e banimit e ato
ndihmëse në shërbim të veprimtarisë bujqësore e blegtorale, si dhe
sendet e luajtshme në shërbim të kësaj veprimtarie. E drejta e
kundërshtimit të përmbajtjes së inventarit dhe prezumimi i saktësisë së
tij rregullohet sipas dispozitave të këtij kreu.
Neni 828
Qiradhënësi përballon detyrimet dhe taksat financiare që rëndojnë mbi pasurinë e paluajtshme.
Neni 829
Qiradhënësi ka të drejtë që në çdo kohë të ushtrojë kontroll mbi
pasurinë e dhënë me qira për të përcaktuar nëse qiramarrësi respekton
marrëveshjen sipas detyrimeve të vëna në kontratë, sipas natyrës dhe
rregullave agroteknike.
Neni 830
Qiramarrësi shlyen çmimin e qirasë në kohën dhe në mënyrën e
caktuar në kontratë. Çmimi i qirasë mund të jetë në natyrë dhe në të
holla.
E drejta e kultivimit
Neni 831
E drejta e kultivimit nënkupton të drejtën e njërës nga palët
kontraktuese që të vendosë se çfarë do të kultivohet nga një periudhë në
tjetrën. Kjo e drejtë rregullohet me marrëveshje të palëve.
Kur çmimi i qirasë përbëhet tërësisht ose kryesisht me prodhime
bujqësore nga produktet që kultivohen në pasurinë e paluajtshme të dhënë
me qira, e drejta e kultivimit i takon qiradhënësit, në rast se në
kontratë ose sipas zakonit të vendit, nuk parashikohet ndryshe.
Kur çmimi i qirasë përbëhet tërësisht ose pjesërisht nga një shumë
parash që i jepet qiradhënësit, e drejta e kultivimit i takon
qiramarrësit, në rast se në kontratë ose sipas zakonit të vendit, nuk
parashikohet ndryshe.
Neni 832
Pala që ka të drejtën e kultivimit, kur nuk i njofton palës tjetër
planin e kultivimit në kohën e duhur dhe kur pritja e mëtejshme e këtij
njoftimi mund të sjellë pasoja serioze në kultivimin bujqësor, kjo e
drejtë i kalon palës tjetër.
Koha dhe shpenzimet e kultivimit
Neni 833
Qiramarrësi vendos me përgjegjësinë e tij për kohën kur do të
kryejë veprimet e kultivimit dhe për mënyrat dhe të rejat agroteknike që
do të zbatojë. Qiramarrësi në këtë drejtim mund të bëjë vetëm
rekomandime.
Neni 834
Shpenzimet që nevojiten për kultivimin përballohen nga qiramarrësi.
Kur çmimi i qirasë përbëhet tërësisht apo kryesisht nga produkti që
kultivohet, qiradhënësi i parapaguan pa kamatë qiramarrësit ato
shpenzime që mund të kërkohen për kultivimin, në rast se ky i fundit nuk
mundet t’i përballojë vetë.
Parapagimi i dhënë i kthehet qiradhënësit nga prodhimi i të korrave të ardhshme.
Shlyerja e çmimit të qirasë
Neni 835
Çmimi i qirasë shlyhet sipas afateve të caktuara në kontratë. Në
mungesë të një caktimi të tillë, shlyhet në fund të çdo viti të
kontratës, kur çmimi është caktuar në para.
Viti i kontratës së qirasë fillon ditën kur qiramarrësit i dorëzohet pasuria e marrë me qira.
Neni 836
Kur çmimi i qirasë përbëhet nga një pjesë e prodhimit bujqësor ose
në raport me atë, qiradhënësit i dorëzohet pjesa që i takon sipas
kërkesës së tij, pasi të jenë mbledhur të korrat.
Në mungesë të marrëveshjes respektohet zakoni i vendit.
Neni 837
Qiramarrësi mund të kërkojë uljen e çmimit të qirasë ose shtyrjen e
pagimit të saj, kur rrethana të paparashikuara ose ngjarje të
jashtëzakonshme e kanë ulur prodhimtarinë e një viti në të paktën
gjysmën në krahasim me prodhimtarinë normale.
Neni 838
Qiramarrësi mund të kërkojë që të rishikohet çmimi i qirasë në
favorin e tij, duke patur parasysh prodhimtarinë e zakonshme, rëndësinë e
humbjes së pësuar, fitimet që ka patur ai vitet e mëparshme dhe ato që
mund të sigurojë gjatë kohës që kontrata është në fuqi.
Neni 839
Në rast zgjidhje të kontratës, qiramarrësi nuk është i detyruar të
lërë farërat për të mbjellat e ardhshme, përveç kur në kontratë ose nga
zakoni i vendit parashikohet ndryshe.
Neni 840
Qiramarrësi nuk gëzon të drejtën e marrjes së frutave, të cilat në
kohën e përfundimit të kontratës, ende nuk ishin vjelë. Por gjykata mund
të pranojë që qiramarrësit t’i paguhen shpenzimet që mund të ketë bërë
për kultivimin e frutave. Gjithësesi ky shpërblim nuk mund të kalojë
vlerën e frutave që përfiton qiramarrësi.
B. Qiraja e sendeve prodhuese
Neni 841
Kur qiraja ka për objekt gëzimin e një sendi prodhues, të luajtshëm
ose të paluajtshëm, qiramarrësi duhet të përkujdeset për administrimin e
tij në përputhje me destinimin ekonomik të sendit.
Neni 842
Në qoftë se palët nuk e kanë përcaktuar kohëzgjatjen e qirasë,
secila prej tyre mund të tërhiqet nga kontrata duke e njoftuar tjetrën
qysh më përpara në një kohë të përshtatshme.
Neni 843
Qiradhënësi duhet:
1. të dorëzojë sendin me aksesorët e vet në gjendje të përshtatshme për përdorimin dhe prodhimin për të cilin është destinuar;
2. të kryejë me shpenzimet e veta riparimet e jashtëzakonshme për të cilat sendi ka nevojë gjatë kohës së qirasë.
Neni 844
Qiradhënësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës në qoftë se
qiramarrësi nuk vë në shërbim të sendit mjetet e nevojshme për
administrimin e tij, në qoftë se nuk zbaton rregullat teknike dhe në
qoftë se ndryshon në mënyrë të qëndrueshme destinimin ekonomik të
sendit.
Neni 845
Qiramarrësi mund të ndërmarrë nisma për rritjen e prodhimtarisë së
sendit të marrë me qira, mjafton që ato të mos sjellin detyrime për
qiradhënësin, ose të mos i shkaktojnë cenime të të drejtave të tij.
Neni 846
Në qoftë se si pasojë e një ligji ose e një vendimi të detyrueshëm
për administrimin prodhues të sendit, raporti kontraktor rezulton i
ndryshuar dukshëm, në mënyrë të tillë që njëra palë të humbasë dhe
tjetra të fitojë, mund të kërkohet një shtesë apo një zbritje e çmimit
të qirasë, ose sipas rrethanave, zgjidhja e kontratës, përveç kur
parashikohet ndryshe nga ligji.
Neni 847
Qiramarrësi nuk mund ta lëshojë sendin me nënqira pa lejen e qiradhënësit.
Kur qiramarrësi shkel një detyrim të tillë, qiradhënësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës.
E drejta për të kaluar kontratën e qirasë një tjetri përfshin dhe
nënqiranë, përveç kur palët kanë disponuar ndryshe në kontratë.
Neni 848
Dispozitat e kontratës së qirasë zbatohen edhe për qiranë e sendeve prodhuese, në masën që pajtohen me to.
C. Qiraja financiare (leasing)
Neni 849
Me kontratën e qirasë financiare, njëra palë detyrohet të vërë në
dispozicion të palës tjetër, për një kohë të caktuar, një send të
luajtshëm ose të paluajtshëm, kundrejt një pagese me afate periodike, të
përcaktuar në lidhje me vleftën e sendit, me kohëzgjatjen e kontratës
dhe, eventualisht me elemente të tjera sipas marrëveshjes së palëve.
Sendi duhet të jetë fituar ose të jetë ndërtuar nga qiradhënësi sipas
dëshirës dhe përshkrimit të qiramarrësit, dhe ky i fundit ka të drejtë
të fitojë pronësinë, në mbarim të afatit të kontratës, kundrejt pagesës
së një shume të paracaktuar.
Qiradhënësi përgjigjet ndaj qiramarrësit sipas rregullave të
përgjithshme për mosdorëzimin e sendit ose vonesën në dorëzimin e
sendit, si dhe për të metat e sendit.
Me marrëveshje mund të parashikohet që qiramarrësi, para se të kërkojë
nga qiradhënësi të drejtat e tij, duhet t’i drejtohet atij që i dha
sendin (furnizuesit) për të drejtat e tij ose që i janë kaluar atij.
KREU VII - SIPËRMARRJA
Neni 850 - Përmbajtja
Sipërmarrja është kontrata me të cilën njëra palë (sipërmarrësi)
detyrohet, që me mjetet e saj dhe duke marrë përsipër rrezikun, të
kryejë një vepër (punë), ose të bëjë një shërbim apo një zbatim të
pavarur të punimeve, ndërsa pala tjetër detyrohet ta pranojë atë
kundrejt çmimit të caktuar në kontratë.
Neni 851 - Caktimi i çmimit
Kur palët nuk e kanë caktuar çmimin e sipërmarrjes dhe as nuk kanë
vendosur mënyrën për ta përcaktuar atë, ai llogaritet në bazë të
tarifave ekzistuese ose në bazë të zakonit të vendit. Në rast
mosmarrëveshjeje, caktohet nga gjykata.
Neni 852 - Sigurimi i materialeve
Materialet e nevojshme për kryerjen e veprës duhet të sigurohen nga
sipërmarrësi, në qoftë se marrëveshja nuk parashikon ndryshe.
Të drejta e detyrime të sipërmarrësit
Neni 853
Sipërmarrësi duhet të paralajmërojë në kohën e duhur porositësin:
a) kur materiali i dhënë nga porositësi për veprën është me cilësi jo të
mirë, kur kjo zbulohet gjatë punimeve dhe dëmton cilësinë e veprës;
b) kur udhëzimet e porositësit nuk mund të zbatohen ose kur zbatimi i
tyre bën që vepra të mos jetë e qëndrueshme ose e përshtatshme;
c) kur ka rrethana, që nuk varen nga sipërmarrësi, të cilat ndikojnë që vepra të mos jetë e qëndrueshme ose e përshtatshme.
Sipërmarrësi përgjigjet për dëmin që pëson porositësi, po qe se nuk e paralajmëron atë përsa më sipër.
Neni 854
Sipërmarrësi ka të drejtë që të heqë dorë nga zbatimi i kontratës
dhe të kërkojë që të shpërblehet për dëmin që ka pësuar kur porositësi
nuk zëvendëson materialin me cilësi jo të mirë ose të papërshtatshëm,
ose kur nuk ndryshon udhëzimet për kryerjen e veprës, megjithëse është
paralajmëruar në kohën e duhur prej tij.
Neni 855
Sipërmarrësi përgjigjet për humbjen ose dëmtimin e materialit që i
është dhënë nga porositësi, përveç kur provohet se humbja ose dëmtimi i
tij ka ndodhur për shkak se materiali ka qenë i një cilësie jo të mirë,
ose i papërshtatshëm, ose për shkak të zbatimit të udhëzimeve të
porositësit për kryerjen e veprës, megjithëse për këto sipërmarrësi
kishte paralajmëruar në kohën e duhur porositësin.
Neni 856
Sipërmarrësi ka të drejtë të kërkojë t’i paguhet puna e kryer prej
tij, kur vepra, para se t’i dorëzohet porositësit, humbet ose dëmtohet
për shkak se materiali ka qenë i një cilësie jo të mirë, ose i
papërshtatshëm, ose për shkak të zbatimit të udhëzimeve të porositësit
për kryerjen e veprës, megjithëse për këto sipërmarrësi kishte
paralajmëruar në kohën e duhur porositësin.
Neni 857
Sipërmarrësi nuk mund të japë me nënsipërmarrje kryerjen e veprës ose kryerjen e shërbimeve, pa u marrë pëlqimi nga porositësi.
Neni 858
Sipërmarrësi nuk mund të ndryshojë mënyrat e caktuara në kontratë për kryerjen e veprës, pa pëlqimin me shkrim të porositësit.
Edhe kur është dhënë pëlqimi, sipërmarrësi, po qe se çmimi i plotë i
veprës është caktuar në total, nuk ka të drejtë të kompensohet për
ndryshimet ose për shtesat, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.
Neni 859
Në qoftë se për kryerjen e veprës sipas standardeve është e
nevojshme që projekti të ndryshohet dhe për këtë gjë palët nuk merren
vesh, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata.
Në qoftë se ndryshimet në çmimet tejkalojnë një të gjashtën e madhësisë
së çmimit të caktuar, sipërmarrësi mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës
dhe sipas rrethanave, një shpërblim të përshtatshëm të dëmeve.
Në qoftë se ndryshimet janë të konsiderueshme, porositësi mund të
tërhiqet nga kontrata duke paguar një dëmshpërblim të përshtatshëm.
Të drejta e detyrime të porositësit
Neni 860
Porositësi mund të bëje ndryshime në projekt, me kusht që madhësia e
tyre të mos kalojë një të gjashtën e çmimit të përgjithshëm të caktuar.
Sipërmarrësi ka të drejtë të kompensohet për punimet kryesore të
kryera, edhe pse çmimi i veprës është caktuar në total.
Paragrafi i mësipërm nuk zbatohet për ndryshimet në projekt që,
megjithëse u përmbahen caqeve të lartpërmendura, sjellin ndryshime të
konsiderueshme në natyrën e veprës ose në anën sasiore të kategorive të
veçanta të punimeve të parashikuara në kontratë për kryerjen e së
njëjtës vepër.
Neni 861
Porositësi ka të drejtë të kontrollojë kryerjen e punimeve dhe gjendjen e tyre me shpenzimet e veta.
Kur, gjatë punimeve, zbulohet se kryerja e tyre nuk vazhdon sipas
kushteve të caktuara në kontratë dhe sipas standardeve, porositësi mund
të caktojë një afat të arsyeshëm brenda të cilit sipërmarrësi duhet të
pajtohet me ato kushte. Kur afati i caktuar ka kaluar pa sjellë ndonjë
dobi, kontrata zgjidhet, pa cenuar të drejtën e porositësit për
shpërblimin e dëmeve.
Neni 862
Në qoftë se si rrjedhim i rrethanave të paparashikuara, kanë
ndodhur rritje ose ulje të kostos së materialeve ose të krahut të punës,
që përcaktojnë një rritje ose një zbritje në një masë më të madhe se
një e dhjeta e çmimit të përgjithshëm të caktuar, sipërmarrësi ose
porositësi mund të kërkojnë rishikimin e çmimit. Ky rishikim mund të
caktohet vetëm për masën e diferencës që tejkalon një të dhjetën. Kur
gjatë punimeve hasen vështirësi të karakterit gjeologjik, hidrik dhe të
tjera të ngjashme me to, të paparashikuara nga palët, të cilat e bëjnë
mjaft më të vështirë detyrën e sipërmarrësit, ky ka të drejtë për një
kompensim të përshtatshëm.
Neni 863
Porositësi, përpara se të marrë në dorëzim veprën e mbaruar, ka të drejtë ta kontrollojë atë.
Kontrolli duhet të kryhet nga porositësi, sapo sipërmarrësi të krijojë kushtet e duhura për kontrollin.
Në qoftë se, megjithë ftesën e bërë prej sipërmarrësit, porositësi nuk e
kryen kontrollin pa patur arsye të bazuara, ose kur nuk njofton
rezultatin e kontrollit brenda një afati të shkurtër, vepra konsiderohet
e pranuar. Në qoftë se porositësi merr në dorëzim veprën pa paraqitur
ndonjë rezervë, ajo konsiderohet e pranuar edhe pse nuk është kryer
kontrolli.
Sipërmarrësi ka të drejtë të kërkojë të paguhet me vleftën e caktuar kur
vepra pranohet nga porositësi, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.
Garancia dhe denoncimi i të metave të veprës
Neni 864
Sipërmarrësi detyrohet të japë garanci për deformimet dhe veset e
veprës. Garancia nuk kërkohet kur porositësi e ka pranuar veprën dhe
deformimet ose veset njiheshin prej tij ose ishin të dallueshme, përveç
kur ato janë fshehur me keqbesim nga sipërmarrësi.
Porositësi duhet t’i njoftojë sipërmarrësit deformimet ose veset brenda
60 ditëve nga zbulimi i tyre me kusht dekadence, që sjell humbjen e
kësaj të drejte. Njoftimi nuk është i domosdoshëm kur sipërmarrësi i ka
njohur e pranuar deformimet dhe veset ose kur i ka fshehur ato.
Padia kundër sipërmarrësit parashkruhet brenda dy vjetëve nga data e
dorëzimit të veprës. Porositësi i paditur për pagim mund të zbatojë
gjithmonë garancinë, me kusht që deformimet dhe veset të njoftohen
brenda 60 ditëve nga data e zbulimit dhe para se të kenë kaluar dy vjet
nga data e dorëzimit.
Neni 865
Porositësi mund të kërkojë që deformimet ose veset të eliminohen me
shpenzimet e sipërmarrësit, ose që çmimi të zbritet përpjesëtimisht,
duke ruajtur të drejtën e shpërblimit të dëmit në rast se sipërmarrësi
ka faj.
Por, në qoftë se deformimi ose cenet e veprës janë të tilla sa e bëjnë
atë krejt të papërshtatshme për destinimin e saj, porositësi mund të
kërkojë zgjidhjen e kontratës.
Neni 866
Kur sipërmarrja ka për objekt ndërtesa ose sende të tjera të
paluajtshme të cilat, për nga natyra e tyre, kanë destinim afatgjatë, po
qe se, gjatë një periudhe prej dhjetë vjetësh nga përfundimi, vepra,
për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, shëmbet tërësisht ose
pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shëmbjeje ose defekte të tjera
të rënda, sipërmarrësi përgjegjet kundrejt porositësit dhe palëve që
fitojnë të drejta prej tij, me kusht që denoncimi i tyre të bëhet brenda
një viti nga zbulimi.
E drejta e porositësit parashkruhet brenda një viti nga kallëzimi.
Neni 867
Sipërmarrësi, për të ushtruar të drejtën e padisë së kthimit
kundrejt nënsipërmarrësve, duhet që t’i njoftojë ata për denoncimin
brenda gjashtëdhjetë ditëve nga marrja dijeni me kusht dekadence, që
sjell humbjen e kësaj të drejte.
Zgjidhja e kontratës dhe pasojat juridike
Neni 868
Porositësi mund të tërhiqet nga kontrata, edhe kur ka filluar
zbatimi i veprës ose kryerja e shërbimit, me kusht që ta kompensojë
sipërmarrësin për shpenzimet e kryera, për punimet e bëra dhe për
fitimin e munguar.
Neni 869
Kur kontrata zgjidhet sepse zbatimi i veprës është bërë i pamundur
si pasojë i një shkaku që nuk mund t’i atribuohet asnjërës palë,
porositësi paguan pjesën e veprës së kryer në kufijtë brenda të cilëve
është e dobishme për të, në përpjesëtim me çmimin e caktuar për të
gjithë veprën.
Neni 870
Kur materiali që i është dhënë sipërmarrësit nga porositësi, ose
kur vepra e përgatitur me këtë material humbet ose dëmtohet, si dhe kur
përfundimi i veprës bëhet i pamundshëm pa fajin e asnjërit prej tyre,
por në çdo rast pasi sipërmarrësi të jetë në vonesë për dorëzimin e
veprës, ky është i detyruar t’i shpërblejë porositësit vleftën e
materialit dhe nuk ka të drejtë të kërkojë prej tij që t’i paguajë punën
e kryer.
Neni 871
Kur vepra e përgatitur me material të sipërmarrësit humbet ose
dëmtohet, si dhe kur përfundimi i saj bëhet i pamundshëm para se të ketë
mbaruar afati për dorëzimin e veprës, por në çdo rast pa fajin e
asnjërit prej tyre, sipërmarrësi nuk ka të drejtë t’i kërkojë
porositësit që t’i paguajë vleftën e materialit dhe punën e kryer.
Neni 872
Kur vepra e përgatitur me material të sipërmarrësit humbet ose
dëmtohet, si dhe kur përfundimi i saj bëhet i pamundshëm pa fajin e
sipërmarrësit ose të porositësit, por pasi porositësi është në vonesë
për marrjen e veprës në dorëzim, ky detyrohet t’i paguajë sipërmarrësit
vleftën e materialit dhe punën e kryer.
Neni 873
Kontrata e sipërmarrjes nuk zgjidhet me vdekjen e sipërmarrësit,
përveç kur personi i sipërmarrësit konsiderohej i domosdoshëm për
kryerjen e veprës. Porositësi mundet gjithmonë të tërhiqet nga kontrata,
po qe se trashëgimtarëve të sipërmarrësit, nuk mund t’u besohet për
kryerjen e mirë të veprës ose të shërbimit.
Neni 874
Në rastin e zgjidhjes së kontratës për shkak të vdekjes së
sipërmarrësit, porositësi detyrohet t’u paguajë trashëgimtarëve vleftën e
veprës së kryer, duke u mbështetur në çmimin e caktuar, si dhe
shpenzimet e kryera për ekzekutimin e pjesës së mbetur, por vetëm brenda
kufijve në të cilët vepra e kryer dhe shpenzimet e bëra janë të
dobishme për të. Porositësi ka të drejtë të kërkojë dorëzimin, kundrejt
një kompensimi të përshtatshëm, të vleftës së materialeve të përgatitura
dhe planeve në zbatim e sipër, për aq sa lejojnë normat për mbrojtjen e
shpikjeve dhe të pronësisë intelektuale.
Neni 875
Personat të cilët, duke qënë në varësi të sipërmarrësit, kanë
ushtruar veprimtarinë e tyre për zbatimin e veprës ose kryerjen e
shërbimit, mund të ngrejnë padi drejtpërdrejt kundër porositësit për të
marrë atë çka u takon deri në plotësimin e detyrës që porositësi ka ndaj
sipërmarrësit në kohën kur ata ngrejnë padinë.
Neni 876 - Dispozitë referuese
Kur sipërmarrja ka për objekt kryerje shërbimesh të vazhdueshme ose
periodike, zbatohen, për aq sa janë të pajtueshme, normat e këtij
titulli dhe ato lidhur me kontratën e furnizimit.
KREU VIII - TRANSPORTI
A. Transporti i personave
Neni 877
Me kontratën e transportit të personave, transportuesi merr përsipër të transportojë persona nga njëri vend në një vend tjetër.
Neni 878
Përveç përgjegjësisë për vonesën dhe për mospërmbushjen në kryerjen
e transportit, transportuesi përgjigjet për fatkeqesitë që godasin
personin udhëtar gjatë udhëtimit dhe për humbjen ose për dëmtimin e
sendeve që udhëtari merr me vete, në qoftë se nuk provon se ka marrë të
gjitha masat e përshtatshme për shmangien e dëmit, dhe në lidhje me
rethanat e posaçme të rastit.
Janë të pavlefshme kushtet që kufizojnë përgjegjësinë e transportuesit për rreziqet që godasin udhëtarin.
Kjo dispozitë zbatohet edhe në kontratat e transportit falas.
Neni 879
Në transportin me itinerare që lidhen njëri me tjetrin, çdo transportues përgjigjet për udhëtimin e vet.
Megjithatë, dëmi për vonesën ose për ndërprerjen e udhëtimit llogaritet duke pasur parasysh të gjithë rrugën.
B. Transporti i sendeve
Neni 880
Me kontratën e transportit të sendeve, transportuesi merr përsipër të transportojë sende nga një vend në një vend tjetër.
Neni 881
Transportuesi duhet t’i vërë sendet e transportuara në dispozicion
të marrësit në vendin, në afatin dhe nëpërmjet mënyrave të treguara në
kontratë.
Në qoftë se dorëzimi nuk duhet të kryhet pranë marrësit, transportuesi
duhet ta njoftojë atë menjëherë për mbërritjen e sendeve të
transportuara.
Në qoftë se nga dërguesi është lëshuar një fletë shoqërimi, transportuesi duhet t’ia tregojë atë marrësit.
Neni 882
Dërguesi duhet t’i tregojë transportuesit me saktësi emrin e
marrësit dhe vendin e destinimit, llojin, peshën, sasinë dhe numrin e
sendeve për t’u transportuar dhe të dhëna të tjera të nevojshme për
kryerjen e transportit.
Në qoftë se për kryerjen e transportit nevojiten dokumente të posaçme,
dërguesi duhet t’ia japë ato transportuesit në momentin kur dorëzon
sendet per t’u transportuar.
Janë në ngarkim të dërguesit dëmet që rrjedhin nga mungesa ose
pasaktësia e të dhënave ose nga mosdorëzimi apo parregullsia e
dokumenteve.
Neni 883
Me kërkesën e transportuesit, dorëzuesi lëshon një fletë shoqërimi
me nënshkrimin e vet, e cila përmban emrin e vet, vendqëndrimin ose
qendrën e punës, vendin dhe datën e lëshimit, të dhënat e paraqitura në
nenin e mësipërm dhe kushtet e caktuara për transportin.
Kur fletëshoqërimi jepet në disa kopje, numri i kopjeve duhet të
tregohet në çdo ekzemplar. Kopjet e mbetura humbasin vlerën pasi sendet i
dorëzohen mbajtësit të titullit.
Këto të dhëna janë të besueshme, derisa të mos jetë provuar e kundërta
kundrejt transportuesit, i cili ka për detyrë t’i verifikojë ato, duke
zbatuar përkujdesjen profesionale.
Me kërkesën e dërguesit, transportuesi lëshon një dublikatë të fletës të
shoqërimit me nënshkrimin e vet ose, në qoftë se nuk i është lëshuar
fleta e shoqërimit, një fletë marrje në dorëzim, që të përmbajë të
njëjtat të dhëna.
Neni 884
Kontrata e transportit quhet e lidhur nga çasti që është bërë
dokumenti i transportimit dhe dërguesi i mallrave ka bërë pagesën e
transportimit, përveç kur në kontratë ose në ligj parashikohet ndryshe.
Neni 885
Në qoftë se fillimi ose vazhdimi i transportit pengohen ose vonohen
së tepërmi për shkaqe që nuk mund t’i ngarkohen transportuesit, ky
menjëherë duhet t’i kërkojë udhëzime dërguesit, duke marrë masa për
ruajtjen e sendeve që i janë dorëzuar atij.
Transportuesi ruan të drejtën e ripagimit të shpenzimeve.
Në qofte se transporti ka filluar, ai ka të drejta edhe për pagimin e
çmimit në përpjestim me rrugën që ka kryer, përveç rastit kur ndërprerja
e transportit ka ndodhur për shkak të humbjes së plotë të sendeve si
pasojë e rastit fator.
Po qe se rrethanat e bëjnë të pamundur marrjen e udhëzimeve nga
dërguesi, ose në qoftë se udhëzimet nuk janë të zbatueshme,
transportuesi mund t’i depozitojë sendet ose, po qe se rrezikohen të
dëmtohen, ose përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për sigurinë e
vendeve ku janë ruajtur, ai mund të marrë masa për shitjen e tyre me
çmimin më të mirë.
Transportuesi duhet të njoftojë menjëherë dërguesin për depozitimin ose shitjen.
Rregullat e mësipërme zbatohen edhe në rastin kur pritësi nuk gjendet
ose refuzon apo vonon të kërkojë marrjen në dorëzim të sendeve, edhe në
rastin kur lind mosmarrëveshje midis disa marrësve ose për të drejtën e
marrësit për marrjen në dorëzim apo për ekzekutimin e saj.
Neni 886
Dërguesi mund të pezullojë transportimin dhe të kërkojë kthimin e
sendeve, ose të urdhërojë dorëzimin tek një marrës tjetër i ndryshëm nga
ai i treguar në fillim ose mund të vendosë ndryshe, gjithmonë duke
ruajtur detyrimin për të riparuar shpenzimet dhe për të shpërblyer dëmet
që rrjedhin nga urdhri i dytë.
Kur nga ana e transportuesit i është lëshuar dërguesit një dublikatë e
fletës së shoqërimit ose e fletë ngarkesës, dorëzuesi nuk mund të
disponojë sendet e dorëzuara për transport po qe se nuk i paraqet
transportuesit dublikatën ose faturën për të treguar të dhënat e reja.
Këto duhet të nënshkruhen edhe nga transportuesi.
Dërguesi nuk mund të disponojë sende të transportuara qysh prej momentit kur ato kanë kaluar në dispozicion të pritësit.
Neni 887
Të drejtat që rrjedhin nga kontrata e transportit ndaj
transportuesit i kalojnë pritësit nga momenti kur, pasi sendet kanë
mbërritur në destinacion ose ka skaduar afati në të cilin duhet të
kishin mbërritur.
Pritësi kërkon marrjen në dorëzim nga transportuesi, pritësi nuk mund të
ushtrojë të drejtat që lindin nga kontrata, përveç se duke i paguar
transportuesit kreditë që rrjedhin nga transporti dhe faturat që
shoqërojnë sendet e transportuara. Kur ka mosmarrëveshje për shumën e
detyruar, marrësi duhet të depozitojë diferencën e vënë në dyshim pranë
një të treti.
Neni 888
Transportuesi që i dorëzon pritësit sendet pa mbledhur kreditë e
veta ose faturat që shoqërojnë sendet e transportuara, ose pa kërkuar
depozitimin e shumës së diskutueshme, është përgjegjës ndaj dërguesit
për vleftën që i detyrohet atij dhe nuk mund t’i kërkojë këtij të fundit
pagimin e kredive të veta. Megjithatë e drejta për të paditur pritësin
nuk cenohet.
Përgjegjësia për humbjen ose dëmtimin e sendeve gjatë transportimit
Neni 889
Transportuesi është përgjegjës për humbjen dhe dëmtimin e sendeve
të dorëzuara atij qysh nga momenti kur i merr, deri në momentin kur ia
dorëzon pritësit, po qe se nuk provon që humbja ose dëmtimi janë pasojë e
rastit fator, e veprimit të dërguesit, të pritësit ose të pronarit të
sendeve të dërguara, nga firot ose nga lloji e nga veset e vetë sendeve.
Në qoftë se transportuesi i pranon sendet për transportim pa rezervë,
prezumohet se sendet nuk paraqesin të meta të dukshme ambalazhi.
Transportuesi, me kërkesën e pritësit, detyrohet të mbajë procesverbal
për humbjen ose dëmtimin e sendeve të dorëzuara për transportim.
Neni 890
Transportuesi duhet të njoftojë pritësin pa vonesë dhe përpara dorëzimit të sendeve, për dëmet që sendet mund të kenë pësuar.
Neni 891
Në qoftë se sendet kanë humbur ose janë dëmtuar, dëmi llogaritet,
përveç marrëveshjes së kundërt, sipas çmimit të tyre në kohën e
ngarkimit nga ana e transportuesit. Po qe se sendet dëmtohen,
transportuesi duhet të shpërblejë dëmin në masën e diferencës midis
vleftës së sendeve në momentin e ngarkimit dhe vleftës në momentin e
dorëzimit.
Neni 892
Pritësi ka të drejtë të sigurohet, me shpenzimet e veta, përpara
marrjes në dorëzim, për identitetin dhe gjendjen e sendeve të
transportuara.
Neni 893
Marrja në dorëzim pa rezervë e sendeve të transportuara duke paguar
transportuesin për aq sa i takon, heq mundësinë për ngritje të padisë
që rrjedh nga kontrata, përveç rastit të mashtrimit ose të pakujdesisë
së rëndë të transportuesit. Nuk cenohen të drejtat për të kërkuar
humbjen e pjesshme ose për dëmtime të tilla që nuk mund të dallohen në
momentin e marrjes në dorëzim, me kusht që transportuesi të njoftohet
menjëherë sa të zbulohet dëmi dhe jo më vonë se 20 ditë nga data e
marrjes në dorëzim.
Neni 894
Kur transportuesi detyrohet t’i përcjellë sendet e transportuara
përtej linjave të tij, nëpërmjet transportuesish të tjerë, pa marrë nga
dorëzuesi një fletë shoqërimi të drejtpërdrejtë për në vendin e
destinimit, prezumohet që ai merr, për transportin përtej linjave të
veta, detyrimet e një spedicioneri.
Transportimi i kryer nga disa transportues
Neni 895
Në transportin e sendeve që kryhet bashkërisht nga disa
transportues të njëpasnjëshëm me një kontratë të vetme, transportuesit
përgjigjen solidarisht për përmbushjen e kontratës nga vendi fillestar i
nisjes deri në vendin e destinimit.
Transportuesi që paditet për një veprim për të cilin nuk ka përgjegjësi,
ka të drejtën e padisë kundrejt transportuesve të tjerë, qoftë veç e
veç, qoftë bashkërisht. Po qe se del se veprimi që ka sjellë dëmtimin ka
ndodhur në rrugën e njërit prej transportuesve, ky detyrohet të bëjë
shpërblimin e plotë të dëmit; në rast të kundërt, detyrohen të
shpërblejnë transportuesit përpjestimisht me rrugët e tyre, duke
përjashtuar ata transportues që provojnë se dëmi nuk ka ndodhur në
rrugën e vet.
Neni 896
Transportuesit e njëpasnjëshëm kanë të drejtë të deklarojnë, në
fletëshoqërimin ose në një akt të veçantë, gjendjen e sendeve për t’u
transportuar në momentin kur u janë dorëzuar atyre. Në mungesë të
deklaratës, prezumohet se i kanë marrë në gjendje të mirë dhe në
përputhje me fletë shoqërimin.
Përgjegjësia e dërguesit dhe e transportuesit për vonesën
Neni 897
Kur dorëzimi i sendeve për transportim ose dorëzimi i sendeve
pritësit nuk bëhet në afatet e caktuara në kontratë, pala që është në
vonesë shpërblen dëmin përkatës.
Neni 898
Kreditë që rrjedhin nga transporti kanë prvilegj mbi sendet e
transportuara deri sa këto të mbeten pranë transportuesit. Transportuesi
mund të mbajë sendin që i nënshtrohet privilegjit deri sa të
shpërblehet kredia e tij dhe mundet edhe ta shesë sipas rregullave të
caktuara për shitjen e pengut.
Neni 899 - Përgjegjësia e transportuesit të fundit
Transportuesi i fundit përfaqëson transportuesit e mëparshëm për
mbledhjen e kredive përkatëse që lindin nga kontrata e transportit dhe
për ushtrimin e privilegjit mbi sendet e transportuara. Në qoftë se ai
nuk i mbledh kreditë ose nuk ushtron privilegjin, përgjigjet para
kreditorëve paraardhës për shumat e detyruara, përveç të drejtës së
padisë kundrejt pritësit.
Neni 900 - Dispozitë referuese
Për transportimet me rrugë ujore, ajrore dhe për ato hekurudhore e
postare, kur mungon legjislacioni i posaçëm, zbatohen dispozitat e kësaj
kontrate.
KREU IX - HUAPËRDORJA
Neni 901
Me kontratën e huapërdorjes, njëra palë (huadhënësi) i jep palës
tjetër (huamarrësit), pa kundërshpërblim, një send të caktuar që ta
përdorë përkohësisht dhe kjo palë detyrohet ta kthejë atë send në afatin
e caktuar në kontratë. Kur nuk është caktuar afat, me kërkesën e Palës
që ka dhënë sendin.
Neni 902
Kontrata e huapërdorjes quhet e lidhur nga çasti që është dorëzuar sendi.
Neni 903
Huamarrësi detyrohet ta mbajë dhe ta ruajë sendin me përkujdesje.
Ai nuk mund ta përdorë atë ndryshe nga përdorimi i caktuar në kontratë
ose nga natyra e sendit. Huamarrësi nuk mund t’ia japë një të treti
sendin për përdorim pa pëlqimin e huadhënësit.
Kur huamarrësi nuk përmbush detyrimet e lartpërmendura huadhënësi mund
të kërkojë kthimin e menjëhershëm të sendit, përveç shpërblimit të
dëmit.
Neni 904
Huamarrësi është përgjegjës për humbjen ose dëmtimin e sendit,
përveç kur provon se humbja ose dëmtimi i sendit do të kishte ndodhur
edhe në rast se do të ishte dhënë në huapërdorje.
Neni 905
Në qoftë se huamarrësi e përdor sendin ndryshe nga sa është caktuar
në kontratë ose nga natyra e tij dhe për një kohë më të gjatë se sa
duhej, përgjigjet për humbjen e ndodhur edhe nga rasti fator, përveç kur
provon se sendi do të humbiste njëlloj, si të mos përdorej ndryshe, si
të ishte kthyer në kohën e caktuar në kontratë.
Neni 906
Huamarrësi nuk mund të kërkojë pagimin e shpenzimeve që ka bërë për të përdorur sendin.
Neni 907
Në qoftë se gjatë afatit të caktuar, ose përpara se huamarrësi të
ketë pushuar së përdoruri sendin sipas kontratës, huadhënësi ndodhet
përpara një nevoje të ngutshme dhe të paparashikuar të sendit, ai mund
të kërkojë zgjidhjen e kontratës dhe kthimin e menjëhershëm të sendit.
Neni 908
Në rast vdekjeje të huamarrësit, huadhënësi, edhe po të jetë
caktuar një afat, mund të kërkojë nga trashëgimtarët kthimin e
menjëhershëm të sendit.
Neni 909
Huamarrësi është i detyruar të bëjë me shpenzimet e tij ndreqjet e
zakonshme të sendit të dhënë në huapërdorje, përveç kur në kontratë
është parashikuar ndryshe, ndërsa ndreqjet e tjera bëhen nga huadhënësi.
Neni 910
Po qe se gjatë huapërdorjes huamarrësi është detyruar, për të
ruajtur sendin, që të kryejë shpenzime të jashtëzakonshme, të nevojshme
dhe të ngutshme dhe se për këto nuk ka patur mundësi të njoftonte
huadhënësin, ky duhet t’ia paguajë huamarrësit.
Neni 911
Po qe se sendi i huapërdorur ka patur të meta të tilla që dëmtojnë
atë që e përdor, huadhënësi detyrohet të shpërblejë dëmin sa kohë që,
duke i ditur të metat e sendit, nuk ka njoftuar huamarrësin.
Neni 912
Kur mbaron afati i kontratës së huapërdorjes, ose kur kontrata
zgjidhet para këtij afati, huamarrësi është i detyruar t’i kthejë
huadhënësit sendin po në atë gjendje në të cilën e mori me ndryshimet e
zakonshme të shkaktuara nga përdorimi i tij, ose në gjendjen e
parashikuar në kontratë. Gjersa nuk provohet e kundërta prezumohet se
sendi është marrë në gjendje të mirë.
KREU X - POROSIA DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 913
Porosia është një kontratë me të cilën njëra palë detyrohet të
kryejë një ose më shumë veprime juridike për llogari të palës tjetër.
Neni 914
Në qoftë se të porositurit i është dhënë kompetenca për të vepruar në emër të porositësit, zbatohen dispozitat mbi përfaqësimin.
Neni 915
I porosituri që vepron në emrin e vet fiton të drejta dhe merr
përsipër detyrime që rrjedhin nga veprimet e kryera me të tretët, edhe
po qe se këta kanë patur dijeni për porosinë.
Të tretët nuk kanë asnjë lidhje me porositësin. Megjithatë porositësi,
duke zënë vendin e të porositurit, mund të ushtrojë të drejtat e kredisë
që rrjedhin nga zbatimi i porosisë, përveç kur mund të cenojë të
drejtat që gëzon i porosituri në bazë të dispozitave të mëposhtme.
Neni 916
I porosituri është i detyruar të kryejë punët ose veprimet juridike
që i janë ngarkuar sipas udhëzimeve të porositësit. Ai mund të largohet
nga këto udhëzime vetëm kur kjo është e domosdoshme për të mbrojtur
interesat e porositësit dhe nuk ka mundësi që të merret vesh më parë me
të.
Neni 917
Porosia përfshin jo vetëm veprimet për të cilat është dhënë, por edhe ato akte që janë të domosdoshme për kryerjen e tyre.
Porosia e përgjithshme nuk përfshin aktet që tejkalojnë administrimin e zakonshëm të punës, po qe se nuk cilësohen shprehimisht.
Neni 918
Porositësi mund të rivendikojë sendet e luajtshme të fituara për
llogari të vet nga i porosituri që ka vepruar në emrin e vet, pa cenuar
të drejtat e fituara nga të tretët për efektet e posedimit me mirëbesim.
Po qe se sendet e fituara nga i porosituri janë pasuri e paluajtshme ose
pasuri e luajtshme të regjistruara në regjistrat publike, i porosituri
është i detyruar t’ia rikthejë porositësit.
Neni 919
Kreditorët e palës së porositur nuk mund të ushtrojnë të drejtat e
tyre mbi sendet që gjatë ekzekutimit të porosisë, i porosituri i ka
vetësuar me emrin e vet, me kusht që kur është fjala për pasuri të
luajtshme ose për kredi, porosia të vërtetohet nga një provë me shkrim
që përmban datë të saktë përpara vënies dorë ose, kur është fjala për
pasuri të paluajtshme ose për pasuri të luajtshme të regjistruara në
regjistrat publike, regjistrimi i aktit të rikthimit ose i kërkesës
gjyqësore që synon të përfitojë kthimin e përmendur të përmbajë një datë
përpara vehtësimit.
Neni 920
Porosia prezumohet se është me shpërblim. Masa e shpërblimit, kur
nuk caktohet nga palët, përcaktohet në bazë të tarifave profesionale ose
zakonit dhe në mungesë të tyre nga gjykata.
Neni 921
I porosituri detyrohet të zbatojë porosinë me besnikëri dhe
përkujdesje. Ai duhet t’i bëjë të ditur porositësit rrethanat e krijuara
që mund të sjellin revokimin e saj.
I porosituri detyrohet gjithashtu që të zbatojë porosinë personalisht,
përveç rastit kur është autorizuar t’ia kalojë një të treti, kur është i
detyruar nga rrethanat, ose në mbrojtje të interesave të porositësit.
Neni 922
I porosituri duhet të marrë masa për ruajtjen e sendeve që janë
dërguar për llogari të porositësit dhe të mbrojë të drejtat e këtij të
fundit kundrejt transportuesit, po qe se sendet paraqesin shenja dëmtimi
ose kur kanë mbërritur me vonesë.
Neni 923
Porositësi, përveç se kur me marrëveshje është parashikuar ndryshe,
detyrohet të furnizojë të porositurin me mjetet e nevojshme për
kryerjen e porosisë dhe për përmbushjen e detyrimeve që me atë synim i
porosituri i ka marrë përsipër në emrin e vet.
Neni 924
I porosituri është i detyruar t’i japë porositësit, kur ky i
kërkon, të gjitha informatat që kanë lidhje me kryerjen e porosisë, së
bashku me dokumentet justifikuese, t’i japë atij llogari posa të ketë
kryer porosinë, si dhe t’i kthejë atij çdo gjë që ka marrë për shkak të
kryerjes së porosisë.
Neni 925
Porositësi duhet të paguajë të porositurin për parapagesat, së
bashku me kamatat ligjore qysh nga dita kur janë kryer si dhe t’i
paguajë shpërblimin që i takon.
Neni 926
Kreditë në para të rrjedhura nga punët e veprimet që ai ka kryer, kanë përparësi ndaj porositësit dhe ndaj kreditorëve të tij.
Neni 927 - Shuarja e porosisë
Porosia shuhet me vdekjen, pazotësinë për të vepruar ose
falimentimin e porositësit ose të të porositurit, përveç marrëveshjes
tjetër ose kur rezulton ndryshe nga natyra e rrethanave të krijuara.
Megjithatë, kur shuarja e porosisë mund të cenojë interesat e
porositësit, i porosituri, trashëgimtarët ose përfaqësuesit detyrohen të
vazhdojnë administrimin deri kur porositësi, trashëgimtarët e tij ose
përfaqësuesit e vet, të jenë në gjëndje të merren vetë drejtpërdrejt me
çështjen.
Heqja dorë nga porosia dhe efektet juridike
Neni 928
I porosituri mund të heqë dorë nga kontrata por, po qe se në
marrëveshje është parashikuar e kundërta, ai përgjigjet për dëmet,
përveç kur heqja dorë bëhet për një shkak të drejtë.
Porosia e dhënë në interes të të porositurit ose të tretëve nuk shuhet
me revokim nga ana e porositësit, përveç kur është vendosur ndryshe në
kontratë ose ajo bëhet për një shkak të drejtë, por nuk shuhet për shkak
të vdekjes ose për pazotësinë për të vepruar që i ndodh porositësit.
Neni 929
Emërimi i një të porosituri të ri për të njëjtën marrëveshje ose
kryerja e kësaj nga ana e porositësit sjell heqjen e porosisë, dhe ka
efekt qysh nga dita kur i janë njoftuar të porositurit.
Neni 930
Heqja dorë nga porosia me shpërblim dhe për një kohë të caktuar ose
për një punë të caktuar, detyron porositësin të shpërblejë dëmet, po qe
se është bërë përpara mbarimit të afatit apo të kryerjes së punës,
përveç kur ekziston një shkak i drejtë.
Kur porosia është me afat të pacaktuar, heqja dorë detyron porositësin
për shpërblimin e dëmit, po qe se nuk është bërë një njoftim paraprak në
kohën e përshtatshme, përveç rastit kur ka një shkak të drejtë për
revokim.
Neni 931
I porosituri që heq dorë nga porosia pa ndonjë shkak të drejtë
duhet t’i shpërblejë dëmet porositësit. Kur porosia është me afat të
pacaktuar, i porosituri që heq dorë pa ndonjë shkak të drejtë detyrohet
të shpërblejë dëmin po qe se nuk ka bërë një njoftim paraprak në kohën e
përshtatshme.
Në çdo rast, heqja dorë duhet bërë në një mënyrë dhe në një kohë të
tillë që porositësi të marrë masa për të vepruar ndryshe, përveç rastit
të një vështirësie të madhe nga ana e të porositurit.
Neni 932
Në qoftë se porosia është dhënë nga disa persona me një akt të
vetëm dhe për një çështje me interes të përbashkët, heqja dorë nuk ka
efekt kur nuk është bërë nga të gjithë të porositurit, përveç rastit kur
ka një shkak të drejtë për heqjen dorë.
Neni 933
Aktet që i porosituri ka kryer përpara se të marrë vesh shuarjen e
porosisë janë të vlefshme kundrejt porositësit dhe trashëgimtarëve të
tij.
Neni 934
Porosia e dhënë disa personave që mendohet të punojnë bashkërisht
shuhet edhe po qe se shkaku i shuarjes ka të bëjë vetëm me njërin prej
të porositurve, përveç kur në marrëveshje është parashikuar ndryshe.
KREU XI - KOMISIONI
Neni 935
Kontrata e komisionit është një porosi që ka për objekt blerjen dhe
shitjen e sendeve për llogari të porositësit dhe në emër të
komisionerit.
Të drejta e detyrime të palëve
Të drejta e detyrime të palëve
Neni 936
Porositësi është i detyruar t’i paguajë komisionerit të gjitha
shpenzimet që ka bërë për kryerjen e porosisë dhe shpërblimin që
parashikohet në kontratën e komisionit, si dhe ta shkarkojë nga çdo
detyrim që komisioneri ka marrë ndaj të tjerëve për kryerjen e
komisionit.
Neni 937
Komisioneri prezumohet se është i autorizuar që të lejojë vonesa në
pagim, në përputhje me zakonin e vendit ku kryen veprimin, në qoftë se
kur porositësi nuk ka vendosur ndryshe.
Në qoftë se i porosituri lejon vonesa në pagim, pavarësisht nga ndalimi i
porositësit ose nga zakoni i vendit, porositësi mund të kërkojë nga ai
pagimin e menjëhershëm, përveç të drejtës së komisionerit për të
përfituar avantazhet e ardhura nga vonesa në pagim.
Komisioneri që ka lejuar vonesën në pagim duhet t’i tregojë porositësit
se cila ishte pala e kontraktuar dhe afati i dhënë, përndryshe veprimi
quhet se është kryer pa u lejuar vonesë dhe zbatohet paragrafi i
mësipërm.
Neni 938
Komisioneri nuk përgjigjet për ekzekutimin nga ana e personit të
tretë të kontratës së lidhur nga komisioneri me të, për llogari të
porositësit, përveç kur në kontratën e komisionit parashikohet ndryshe.
Neni 939
Kur komisioneri ka kryer veprimin juridik në kushte më të dobishme
nga ato të udhëzimeve që i kishte dhënë porositësi, gjithçka që
komisioneri ka fituar në këtë rast kalon në dobi të porositësit.
Neni 940
Komisioneri ka të drejtë të largohet nga udhëzimet që i ka dhënë
porositësi vetëm kur, për shkak të ndryshimit të rrethanave, një largim i
tillë bëhet i nevojshëm për interesat e porositësit, dhe komisioneri
nuk mund të merret vesh më parë me porositësin ose, kur, megjithëse e ka
pyetur, nuk ka marrë përgjigje në kohën e duhur.
Neni 941
Komisioneri është i detyruar të lidhë kontratë sigurimi për sendet e
porositësit që ndodhen pranë tij, vetëm po të jetë parashikuar në
kontratën e komisionit, ose po të jetë sigurimi i detyrueshëm në bazë të
ligjit.
Neni 942
Porositësi mund të ndryshojë rradhën e përfundimit të marrëveshjes
sa kohë që komisioneri nuk e ka përfunduar. Në këtë rast i takon
komisionerit një pjesë e shpërblimit për ndërmjetësim që përcaktohet
duke u mbajtur parasysh shpenzimet e kryera dhe puna e bërë.
Neni 943
Në komisionin për shitjen dhe blerjen e mallrave, titujve, valutave
dhe vlerave të tjera që kanë një çmim liste ose një çmim të caktuar nga
organet shtetërore, po qe se porositësi nuk ka vendosur ndryshe,
komisioneri mund të përfshijë në të njëjtin çmim, të fiksuar në momentin
e ekzekutimit të porosisë, sendet që duhet të blejë, ose të blejë për
vetë sendet që duhet të shesë, duke ruajtur të drejtën për shpërblimin
për ndërmjetësim.
Neni 944 - Dispozitë referuese
Dispozitat mbi porosinë zbatohen edhe për komisionin gjersa nuk parashikohen ndryshe në këtë kre.
KREU XII - SPEDICIONI (DËRGESA)
Neni 945 - Përmbajtja
Kontrata e spedicionit (dërgesës) është një porosi me të cilën
spedicioneri merr përsipër detyrimin për të lidhur në emër dhe për
llogari të porositësit, një kontratë transporti dhe për të kryer të
gjitha veprimet ndihmëse.
Të drejta e detyrime të palëve
Neni 946
Deri sa spedicioneri nuk ka lidhur kontratën e transportit me
transportuesin, dërguesi mund të revokojë urdhërin e dërgesës, duke i
paguar spedicionerit shpenzimet e kryera dhe duke i dhënë atij një
shpërblim të përshtatshëm për shërbimin e kryer.
Neni 947
Në zgjedhjen e rrugës, mjetit dhe mënyrave të transportit të
mallit, spedicioneri detyrohet të zbatojë udhëzimet e porositësit dhe,
në mungesë të tyre, të veprojë sipas interesit më të mirë të tij.
Shpërblimet, zbritjet nga çmimi dhe përfitimet tarifore të realizuara
nga spedicioneri duhet t’i kreditohen porositësit, përveç kur në
marrëveshje parashikohet ndryshe.
Neni 948
Masa e shpërblimit që i takon spedicionerit për kryerjen e detyrës
përcaktohet, kur nuk ka marrëveshje për të, sipas tarifave profesionale
ose, kur këto mungojnë, sipas zakoneve të vendit ku kryhet dërgesa.
Parapagesat dhe kompensimet për shërbimet ndihmëse të kryera nga
spedicioneri, likuidohen në bazë të dokumenteve justifikuese, veç në
qoftë se ripagimi dhe kompensimet janë përcaktuar paraprakisht me një
shumë të përgjithshme totale.
Neni 949
Spedicioneri, i cili me mjetet e veta ose të tjetërkujt, merr
përsipër kryerjen e transportit tërësisht ose pjesërisht, ka të drejtat
dhe detyrimet e transportuesit.
KREU XIII - AGJENCIA
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 950
Me kontratën e agjencisë, njëra palë merr përsipër në mënyrë të
vazhdueshme dhe me shpërblim, që të lidhë kontratat në një zonë të
caktuar, për llogari të palës tjetër.
Secila palë ka të drejtë të marrë nga pala tjetër një kopje të kontratës të nënshkruar prej saj.
Neni 951
Pala porositëse nuk mund të pajtojë njëkohësisht më shumë se dy
agjentë në të njëjtën zonë dhe për të njëjtën fushë të veprimtarisë, dhe
po ashtu, as agjenti nuk mund të marrë përsipër të trajtojë në të
njëjtën zonë dhe për të njëjtën fushë, marrëveshjet e disa ndërmarrjeve
në konkurrencë midis tyre.
Neni 952
Agjenti nuk ka të drejtë të vjelë kreditë e palës porositëse.
Në qoftë se kjo e drejtë i është dhënë, ai nuk mund të bëjë zbritje ose të lejojë vonesa pa patur autorizim të posaçëm.
Neni 953
Agjentit mund t’i drejtohen kundërshtimet që kanë të bëjnë me
ekzekutimin e kontratës të lidhur nëpërmjet tij dhe reklamimet lidhur me
mospërmbushjen e kësaj kontrate.
Agjenti mund të kërkojë marrjen e masave mbrojtëse në interes të palës
porositëse dhe të paraqesë reklamimet që janë të nevojshme për mbrojtjen
e të drejtave që i takojnë kësaj të fundit.
Të drejta e detyrime të palëve
Neni 954
Agjenti duhet të përmbushë detyrën e ngarkuar në përputhje me
udhëzimet e marra dhe t’i japë palës porositëse informacionet që kanë të
bëjnë me kushtet e tregut në zonën që është caktuar, gjendjen pasurore
të klientëve të mundshëm dhe çdo informacion tjetër të dobishëm për të
vlerësuar leverdinë e marrëveshjeve të veçanta.
Ai gjithashtu duhet të zbatojë detyrimet që i takojnë komisionerit deri
sa ato nuk përjashtohen nga natyra e kontratës së agjencisë. Përveç
marrëveshjes së kundërt, agjenti nuk mund të depozitojë ose të
regjistrojë shenjat dalluese që identifikojnë veprimtarinë e palës
porositëse.
Neni 955
Agjenti i cili nuk është në gjendje të kryejë detyrën e besuar
duhet të njoftojë menjëherë palën porositëse, përndryshe detyrohet të
shpërblejë dëmin.
Neni 956
Agjenti ka të drejtë të shpërblehet për ndërmjetësim vetëm për
marrëveshjet që janë zbatuar rregullisht. Në qoftë se marrëveshja është
zbatuar në mënyrë të pjesshme, shpërblimi që i takon agjentit është në
përpjesëtim me pjesën e kryer të saj.
Shpërblimi paguhet edhe për marrëveshjet e përfunduara drejtpërdrejt nga
pala porositëse, të cilat duhet të ekzekutohen në zonën e rezervuar për
agjentin, përveç kur në kontratë është parashikuar ndryshe.
Agjenti ka të drejtë për shpërblim mbi marrëveshjet e përfunduara edhe
pas zgjidhjes së kontratës, po qe se përfundimi është sidomos rrjedhim i
veprimtarisë së kryer prej tij.
Agjenti nuk ka të drejtë të ripaguhet për shpenzimet e agjencisë.
Pala porositëse duhet të vërë në dispozicion të agjentit dokumentet e
nevojshme për pasurinë ose shërbimet e trajtuara dhe t’i japë agjentit
informacionet e nevojshme për ekzekutimin e kontratës, sidomos ajo duhet
të njoftojë agjentin, brenda një afati të arsyeshëm, sapo të
parashikojë se vëllimi i operacioneve tregtare do të jetë mjaft më i
ulët nga vëllimi që agjenti do të priste normalisht. Pala porositëse
duhet gjithashtu të informojë agjentët brenda një afati të arsyeshëm për
pranimin ose refuzimin dhe moskryerjen e një marrëveshjeje që e ka
siguruar agjenti. Pala porositëse i dorëzon agjentit një ekstrakt
llogarie të shpërblimit që i takon këtij, jo më vonë se ditën e fundit
të muajit që vjen pas tremujorit, gjatë të cilit ai është fituar.
Ekstrakt llogaria duhet të tregojë elemente thelbësore në bazë të të
cilave është kryer llogaria e shpërblimit.
Brenda të njëjtit afati shpërblimet e likuiduara duhet t’i paguhen
efektivisht agjentit. Agjenti ka të drejtë që t’i jepen të gjitha
informacionet, në veçanti një ekstrakt i librave të llogarive të
nevojshme për verifikimin e madhësisë së shpërblimeve të likuiduara.
Neni 957
Shpërblimi i takon agjentit edhe për marrëveshjet që nuk janë
zbatuar për shkaqe që i përkasin palës porositëse. Në qoftë se pala
porositëse dhe pala e tretë merren vesh për të mos zbatuar kontratën
pjesërisht ose tërësisht, agjenti ka të drejtë që, për pjesën e
pazbatuar, të përfitojë një shpërblim të zvogëluar në masën e caktuar me
marrëveshje, sipas zakonit dhe në mungesë të tyre nga gjykata.
Neni 958
Kontrata e agjencisë me afat të caktuar kur vazhdon të zbatohet nga
palët edhe pas mbarimit të afatit, shndërrohet në kontratë me afat të
pacaktuar. Po qe se kontrata e agjencisë është me afat të pacaktuar,
secila nga palët mund të tërhiqet nga kjo kontratë duke njoftuar
paraprakisht palën tjetër brenda një afati.
Afati i njoftimit paraprak nuk mundet, sidoqoftë të jetë më i shkurtër
se një muaj për vitin e parë të kohëzgjatjes së kontratës, dy muaj për
vitin e dytë të filluar, tre muaj për vitin e tretë të filluar, katër
muaj për vitin e katërt, pesë muaj për vitin e pestë dhe gjashtë muaj
për vitin e gjashtë dhe për të gjithë vitet në vazhdim.
Palët mund të merren vesh për afatin e njoftimit paraprak të
kohëzgjatjes më të madhe, por pala porositëse nuk mund të zbatojë një
afat më të shkurtër se sa ai i caktuar për agjentin.
Përveç kur me marrëveshje është caktuar ndryshe nga palët, mbarimi i
afatit të njoftimit paraprak duhet të përkojë me ditën e fundit të
muajit kalendarik.
Neni 959
Në mbarim të marrëveshjes së agjencisë, pala porositëse detyrohet t’i paguajë agjentit një shpërblim në masën dhe kur:
- agjenti ka siguruar klientë të rinj për palën porositëse ose i ka
zhvilluar dukshëm marrëveshjet me klientët ekzistues dhe pala porositëse
ka ende përfitime të konsiderueshme që rrjedhin nga marrëveshjet me
këta klientë;
- pagimi i këtij shpërblimi quhet i përshtatshëm, kur janë patur
parasysh të gjitha rrethanat e rastit, veçanërisht shpërblimi që agjenti
humbet nga marrëveshjet me këta klientë.
Nuk paguhet shpërblim kur:
- pala porositëse e zgjidh kontratën për shkak të një mospërmbushjeje që
i atribuohet agjentit, e cila për shkak të përmasave 293 të saj, nuk
lejon vazhdimin qoftë edhe të përkohshëm të marrëveshjes;
- agjenti tërhiqet nga kontrata përveç rastit kur tërheqja justifikohet
nga rrethanat që mund t’i përkasin agjentit, siç janë mosha, paaftësia e
përkohëshme ose sëmundjet, për të cilat atij nuk mund t’i kërkohet, në
mënyrë të arsyeshme, vazhdimi i veprimtarisë;
- lidhur me një marrëveshje që ka me palën porositëse, agjenti i lëshon
një pale të tretë të drejtat dhe detyrimet që ai ka nga kontrata e
agjencisë.
Madhësia e shpërblimit nuk mund të tejkalojë një shifër të barabartë
me shpërblimin vjetor të llogaritur mbi bazën e mesatares vjetore të
shpërblimeve të përfituara nga agjenti në pesë vjetët e fundit dhe po qe
se kontrata përfshin një afat më të shkurtër se pesë vjet, mbi
mesataren e periudhës në fjalë.
Dhënia e shpërblimit nuk privon agjentin nga e drejta për shpërblimin e mundshëm të dëmeve.
Agjenti e humb të drejtën e shpërblimit të parashikuar në këtë nen po qe
se brenda një viti nga ndërprerja e marrëdhënies nuk i njofton palës
porositëse kërkesat e tij.
Neni 960
Marrëveshja që kufizon konkurrencën nga ana e agjentit pas
zgjidhjes së kontratës duhet të bëhet me shkrim. Kjo duhet të trajtojë
të njëjtën zonë klientele dhe sende, pasuri ose shërbime për të cilat
ishte lidhur kontrata e agjencisë dhe kohëzgjatja e saj nuk mund të
tejkalojnë dy vitet e mëpasme nga zgjidhja e kontratës.
Neni 961 - Dispozitë referuese
Dispozitat e këtij kreu zbatohen edhe kur pala porositëse i jep agjentit të drejtën e përfaqësimit për lidhjen e kontratave.
KREU XIV - KALIMI I PASURISË KREDITORËVE
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 962
Kalimi i pasurisë është kontrata me të cilën debitori ngarkon
kreditorët e vet ose disa prej tyre për të likuiduar të gjitha ose disa
veprimtari të tij për t’i shpërndarë midis tyre fitimet e nxjerra në
përmbushje të kredive të tyre.
Neni 963
Kalimi i pasurisë duhet bërë me shkrim, ndryshe është i pavlefshëm.
Në qoftë se midis pasurive të ceduara ka edhe kredi, atëherë zbatohen dispozitat e neneve 502 e 503 të këtij Kodi.
Neni 964
Administrimi i pasurisë së kaluar u takon kreditorëve përkatës.
Ata mund të ngrejnë padi për të gjitha çështjet pasurore që lidhen me
atë pasuri, përfshirë edhe paditë për mbrojtjen e posedimit.
Neni 965
Debitori nuk mund të disponojë sendet e kaluara kreditorëve.
Kreditorët, kreditë e të cilëve ekzistonin përpara kalimit të pasurisë
dhe që nuk kanë ndërhyrë, mund të kërkojnë ekzekutimin mbi gjithë këtë
pasuri.
Kreditorëve, që u ka kaluar pasuria, në rast se kalimi ka për objekt
vetëm disa veprimtari të debitorit, nuk mund të kërkojnë ekzekutimin për
veprimtari të tjera, para shlyerjes së atyre që janë lidhur me kalimin e
pasurisë.
Të drejta e detyrime të palëve
Neni 966
Kreditorët që kanë lidhur kontratën ose kanë aderuar në të, duhet
të parapaguajnë shpenzimet e nevojshme për likuidimin dhe kanë të drejtë
të marrin shumën nga të ardhurat prej likuidimit.
Neni 967
Kreditorët duhet t’i ndajnë midis tyre shumat e nxjerra në përpjesëtim me kreditë përkatëse, përveç rasteve të preferimeve.
Mbetja i takon debitorit.
Neni 968
Debitori ka të drejtë të kontrollojë administrimin dhe të marrë një
raportim mbi gjendjen financiare në fund të likuidimit, ose në fund të
çdo viti po qe se administrimi zgjat më shumë se një vit.
Po qe se është emëruar një likuidues, ai duhet t’ia japë raportimin edhe debitorit.
Neni 969
Debitori shkarkohet ndaj kreditorëve vetëm nga dita kur ata marrin
pjesën që u takon nga të ardhurat prej likuidimit dhe vetëm në kufijtë e
shumës që kanë marrë, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.
Neni 970
Debitori mund të tërhiqet nga kontrata duke ofruar t’u paguajë
detyrimet dhe interesat atyre me të cilët ka kontraktuar ose që janë
bashkuar në këtë kontratë. Tërheqja ka efekt nga dita e pagimit.
Debitori detyrohet të paguajë shpenzimet e gjërimit.
Zgjidhja e kontratës
Neni 971
Kontrata mund të zgjidhet po qe se debitori, pasi ka deklaruar se e
kalon të gjithë pasurinë e vet, ka fshehur një pjesë të konsiderueshme
të saj, ose po që se ka fshehur humbjet apo ka paraqitur humbje që nuk
ekzistonin.
Neni 972
Kontrata mund të zgjidhet për shkak mospërmbushjeje sipas rregullave të përgjithshme.
KREU XV - NDËRMJETËSIMI
Neni 973 - Përmbajtja
Ndërmjetës është ai që vë në lidhje dy ose më shumë palë për
përfundimin e një marrëveshjeje, pa qenë i lidhur me asnjërin prej tyre
në marrëdhënie bashkëpunimi, varësie ose përfaqësimi.
Neni 974 - Shpërblimi
Kur nuk ka marrëveshje, ose kur tarifat profesionale, ose zakonet
nuk japin ndonjë përcaktim, madhësia e shpërblimit dhe përpjesëtimi në
të cilin ky rëndon mbi secilën nga palët, caktohet nga gjykata.
Neni 975
E drejta e ndërmjetësit për shpërblim lind kur kontrata e
ndërmjetësimit i sjell efektet e veta dhe pavarësisht nga ndodhitë e
mëvonshme të saj.
Paragrafi i mësipërm nuk zbatohet kur kontrata e ndërmjetësimit mund të
shpallet e pavlefshme, nga që ndërmjetësi kishte dijeni për arësyen e
pavlefshmërisë.
Të drejta e detyrime të palëve
Neni 976
Ndërmjetësi ka të drejtë të paguhet për shpenzimet prej personit
për të cilin janë kryer shpenzimet edhe kur marrëveshja nuk është
përfunduar, përveç kur është zgjidhur ndryshe me marrëveshje ose nga
zakonet.
Neni 977
Në qoftë se marrëveshja është përfunduar me ndërhyrjen e disa
ndërmjetësve, secili prej tyre ka të drejtë për një kuotë shpërblimi.
Neni 978
Ndërmjetësi duhet t’u njoftojë palëve rrethanat për të cilat ai ka
dijeni e që kanë të bëjnë me vleresimin dhe me sigurinë e marrëveshjes,
të cilat mund të ndikojnë në përfundimin e saj.
Ndërmjetësi përgjigjet për vërtetësinë e nënshkrimit në dokumentet dhe
për xhirimet e fundit të titujve të transmetuara nëpërmjet tij.
Neni 979
Detyrat e ndërmjetësuesit profesionist në marrëveshje për mallra ose për tituj janë:
1. të ruajë kampionet e mallrave të shitura me anë kampionesh, derisa
të ekzistojë mundësia e mosmarrëveshjeve për identitetin e mallit;
2. t’i japë blerësit një listë të nënshkruar të titujve për të cilët është biseduar duke treguar serinë dhe numrin;
3. të shënojë në librin përkatës të dhënat kryesore të kontratës që
lidhet me ndërhyrjen e tij dhe t’u japë palëve kopjen e çdo shënimi të
tillë të nënshkruar prej tij.
Neni 980
Ndërmjetësi mund të ngarkohet nga njëra prej palëve për ta
përfaqësuar në veprimet lidhur me zbatimin e kontratës së lidhur me
ndërhyrjen e tij.
Neni 981
Ndërmjetësi, që nuk i tregon njërit kontraktues emrin e
kontraktuesit tjetër, përgjigjet për zbatimin e kontratës dhe, kur e ka
zbatuar atë, merr të drejtat ndaj kontraktuesit të patreguar.
Në qoftë se, pas lidhjes së kontratës, kontraktuesi i patreguar shfaqet
para palës tjetër ose tregohet nga ndërmjetësi, secili nga kontraktuesit
mund të ngrejë padi drejtpërdrejt kundër tjetrit, por pa cenuar
përgjegjësinë e ndërmjetësit.
KREU XVI - DEPOZITA
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 982
Depozita është kontrata me të cilën njëra palë merr nga tjetra një
send të luajtshëm me detyrimin për ta ruajtur dhe për ta kthyer në
natyrë.
Neni 983
Kontrata e depozitës quhet e lidhur nga çasti që është dorëzuar sendi për ruajtje.
Neni 984
Depozita prezumohet se është me shpërblim, përveç kur nga cilësia
profesionale e depozitarit ose nga rrethanat e tjera kuptohet një
vullnet i ndryshëm i palëve.
Të drejta e detyrime të palëve
Neni 985
Depozitari duhet të ruajë sendin me kujdes. Ai nuk mund ta përdorë
atë vetë dhe as t’ua japë në depozitë të tjerëve, pa pëlqimin e
depozituesit. Në qoftë se sendin e përdor pa pëlqimin e depozituesit,
depozitari është përgjegjës për humbjen ose dëmtimin e tij deri në
shkakun fator.
Po ta kërkojnë rrethanat e ngutshme, depozitari mund të ushtrojë
ruajtjen në një mënyrë të ndryshme nga marrëveshja, duke njoftuar
depozituesin menjëherë sapo të jetë krijuar mundësia.
Neni 986
Depozitari është i detyruar të kthejë sendin e lënë depozitë në çdo
kohë që e kërkon depozituesi edhe sikur të jetë caktuar një afat për
kthimin e tij, përveç kur afati është caktuar në interes të depozitarit.
Kthimi i sendit të lënë depozitë bëhet në vendin ku sendi duhej të
ruhej, përveç përmbushjes së palëve kthimi bëhet me shpenzimet e
depozituesit.
Neni 987
Në qoftë se depozita është pa shpërblim, gjykata mund të ulë masën e shpërblimit të dëmit.
Neni 988
Depozituesi është i detyruar t’i paguajë depozitarit shpenzimet e
bëra për ruajtjen e sendit, në qoftë se nuk janë përfshirë në shpërblim.
Neni 989
Kur nuk është caktuar një afat për kthimin e sendit të lënë
depozitë, depozitari ka të drejtë të kërkojë në çdo kohë që të
shkarkohet nga detyrimi i tij për ruajtjen e sendit, duke lajmëruar
depozituesin që të marrë prapë sendin brenda një afati të mjaftueshëm që
i cakton vetë.
Neni 990
Depozituesi është i detyruar të shpërblejë dëmin që i është
shkaktuar depozitarit nga të metat e fshehta të sendit, në qoftë se,
duke i ditur këto, nuk ia ka njoftuar depozitarit.
Neni 991
Kur depozituesit e një sendi janë më shumë se një dhe ata nuk merren vesh lidhur me kthimin e tij, vendos gjykata.
Kështu veprohet edhe kur një depozitues i vetëm ka lënë disa trashëgimtarë, po qe se sendi nuk është i ndashëm.
Kur depozitëmarrësit janë më shumë se një, depozituesi ka të drejtë të
kërkojë kthimin nga personi që mban sendin, i cili duhet të njoftojë
menjëherë të tjerët.
Neni 992
Në qoftë se sendi është depozituar edhe në interes të një të treti
dhe ky i fundit u ka njoftuar depozituesit dhe depozitëmarrësit pranimin
e tij, depozitëmarrësi nuk mund të shkarkohet duke ia kthyer sendin
depozituesit, pa miratimin e të tretit.
Neni 993
Depozitëmarrësi është i detyruar të kthejë frytet e sendit të cilat ai i ka vjelë.
Neni 994
Trashëgimtari i depozitëmarrësit që ka tjetërsuar sendin në
mirëbesim, duke mos ditur se mbahej në depozitë, detyrohet vetëm të
kthejë shpërblimin e marrë.
Në qoftë se ky nuk është paguar ende, depozituesi merr të drejtat e tjetërsuesit.
Neni 995
Depozitëmarrësi duhet t’i kthejë sendin depozituesit ose personit
të caktuar për ta marrë, pa qenë nevoja që depozituesi të provojë se
është pronar.
Në qoftë se depozitëmarrësi paditet nga një person që rivendikon
pronësinë e sendit ose pretendon se ka të drejta mbi të, depozitëmarrësi
duhet të denoncojë mosmarrëveshjen tek depozituesi dhe të kërkojë të
përjashtohet nga gjykimi duke treguar vetë personin, përndryshe duhet të
shpërblejë dëmet. Në këtë rast ai mund të shkarkohet nga detyrimi për
të kthyer sendin, duke e depozituar atë sipas mënyrave të caktuara nga
gjykata, me shpenzimet e depozituesit.
Neni 996
Në qoftë se ruajtja e sendit i hiqet depozitarit si rrjedhim i një
fakti për të cilin ai nuk është fajtor, ai shkarkohet nga detyrimi për
të kthyer sendin, por duhet t’i njoftojë menjëherë depozitarit faktin
për të cilin ka humbur mbajtjen e sendit, përndryshe ngarkohet me
shpërblimin e dëmit.
Depozituesi ka të drejtë të marrë atë që, si pasojë e vetë faktit,
depozitari ka siguruar dhe merr të drejtat që i takojnë këtij të fundit.
Neni 997
Kreditë që rrjedhin nga depozita në dobi të depozitarit kanë
privilegj mbi sendin e dhënë në depozitë. Depozitari mund të mbajë
sendin që është në privilegj derisa të shpërblehet për kredinë e tij dhe
mundet edhe ta shesë sipas dispozitave për pengun.
Neni 998
Kur sendi i lënë depozitë nuk është tërhequr në afatin e caktuar në
kontratë ose pas lajmërimit që i ka bërë depozitari, ky nuk përgjigjet
për humbjen ose dëmtimin e sendit që ngjan pas kalimit të afatit, përveç
kur humbja ose dëmtimi është shkaktuar me dashje ose nga pakujdesia e
rëndë e tij.
Në rastet e sipërme, depozitari ka të drejtë të kërkojë nga gjykata që
të lejojë shitjen e sendit të lënë në depozitë sipas rregullave të
ekzekutimit të detyrueshëm.
Shumat e nxjerra nga shitja e sendit, pasi të zbriten shumat që ka për
të marrë depozitari, i jepen depozituesit ose depozitohen në bankë në
emër të tij.
Neni 999 - Dispozitë referuese
Në qoftë se depozita ka për objekt një sasi të hollash ose sendesh
të tjera të barasndërrueshme, dhe depozitari ka të drejtën t’i përdorë,
ky fiton pronësinë dhe detyrohet të kthejë po të njëjtën sasi nga i
njëjti lloj dhe me të njëjtën cilësi.
Në raste të tilla zbatohen dispozitat lidhur me huanë, kur nuk vijnë në kundërshtim me dispozitat që rregullojnë depozitën.
A. Depozita në magazinat e përgjithshme
Neni 1000
Magazinat (depot) e përgjithshme që veprojnë si depozitare janë
përgjegjëse për ruajtjen e sendeve të depozituara, përveç kur provohet
se dëmi ka ardhur nga rasti fator, nga natyra e sendeve ose nga defekte
të sendeve ose të ambalazhit.
Depozitari duhet në çdo rast të ushtrojë veprimtaritë e nevojshme për të kufizuar dëmin.
Neni 1001
Magazinat depozitare duhet të ruajnë sendet e depozituara veçmas
njëra nga tjetra, gjithashtu duhet t’i pajisin me shenja dalluese që të
tregojnë përkatësinë e sendit ndaj depozituesit.
Përveç pëlqimit të shprehur të depozituesit, ata nuk mund të përziejnë
midis tyre sende të barasndërrueshme të të njëjtit lloj e cilësi.
Depozituesi ka të drejtë të inspektojë sendet e depozituara dhe të tërheqë kampionet e përdorimit.
Neni 1002
Kur depot e përgjithshme kanë lëshuar një titull përfaqësimi të
sendeve të depozituara, depozitari duhet t’ia kthejë sendet vetëm
kreditorit që është legjitimuar nga titulli.
Neni 1003
Depot e përgjithshme pasi njoftojnë depozituesin, mund të fillojnë
shitjen me çmim më të lartë të sendeve kur, në mbarim të kontratës
sendet nuk janë tërhequr, ose depozita nuk është përtërirë, dhe në çdo
rast, kur sendet rrezikohen të humbasin ose përbëjnë një rrezik të madh
për sigurinë e vendeve ku janë depozituar.
Të ardhurat nga shitja, pasi zbritet kostoja dhe shpenzimet e mbetura të depozitës, duhet t’i dorëzohen depozituesit pa vonesë.
B. Depozita në hotel
Neni 1004
Hotelierët janë përgjegjës për dëmtimin, shkatërrimin ose humbjen e sendeve që klientët kanë sjellë në hotel.
Konsiderohen të sjella në hotel:
1. sendet që ndodhen gjatë kohës në të cilën klienti strehohet aty;
2. sendet të cilat hotelieri, një anëtar i familjes së tij ose një
ndihmës i tij marrin përsipër të ruajnë, jashtë hotelit, gjatë periudhës
së kohës në të cilën klienti ndodhet i strehuar;
3. sendet të cilat hotelieri, një anëtar i familjes së tij ose një
ndihmës i tij marrin përsipër të ruajnë qoftë në hotel, qoftë jashtë
tij, për një kohë të arsyeshme, para ose pasi klienti të ketë bujtur.
Përgjegjësia që përmend ky nen kufizohet në vleftën e asaj që është
vjedhur, dëmtuar ose humbur deri në ekuivalentin e njëqindfshit të
çmimit të qirasë së banimit për një ditë.
Neni 1005
Përgjegjësia e hotelierit është e pakufizuar:
1. kur sendet janë dorëzuar për ruajtje;
2. kur ka refuzuar të marrë në ruajtje sende të cilat kishte detyrë
t’i pranonte. Hotelieri ka për detyrë të pranojë letrat me vlerë, paratë
dhe sendet me vlerë; ai mund të mos pranojë t’i marrë kur bëhet fjalë
për objekte të rrezikshme ose që, duke marrë parasysh rëndësinë dhe
kushtet e administrimit të hotelit, kanë vlerë të rëndësishme ose
përmasa shumë të mëdha.
Hotelieri mund të kërkojë që sendi i dorëzuar të jetë i vendosur në një mbështjellje të mbyllur ose të vulosur.
Neni 1006
Hotelieri nuk është përgjegjës kur vjedhja, dëmtimi ose humbja vijnë:
1. nga klienti, nga personat që e shoqërojnë, që janë në shërbim të tij, ose që e vizitojnë;
2. nga forca madhore;
3. nga natyra e sendeve.
Neni 1007
Hotelieri është përgjegjës, pa mundur të invokojë kufijtë e
parashikuar në paragrafin e fundit të nenit 1004, kur vjedhja, dëmtimi
ose humbja e sendeve të sjella nga klienti në hotel janë shkaktuar për
faj të tij, të anëtarëve të familjes së tij ose të ndihmësave të tij.
Neni 1008
Përveç rastit të parashikuar në nenin 985, klienti nuk mund të
përdorë dispozitat e mësipërme po qe se, pasi të ketë konstatuar
vjedhjen, dëmtimin ose humbjen, denoncon faktin tek hotelieri me një
vonesë të pajustifikueshme.
Neni 1009
Janë të pavlefshme marrëveshjet ose deklaratat që synojnë të
përjashtojnë ose të kufizojnë paraprakisht përgjegjësinë e hotelierit.
Neni 1010
Dispozitat e mësipërme nuk zbatohen për automjetet, për sendet e lëna në to dhe as për kafshët e gjalla.
Neni 1011
Për vlerësimin e përgjegjësisë, ose për të caktuar kufirin e
shpërblimit, dispozitat për depozitat në hotel zbatohen edhe ndaj
sipërmarrësve të klinikave shëndetësore publike dhe private,
institucioneve për shfaqje publike, shtëpive të pushimit,
hotelpensioneve, restoranteve dhe për të gjitha rastet në të cilat, nga
vetë veprimtaria e posaçme e zhvilluar nga sipërmarrësi, klienti nuk
mund të kujdeset personalisht për ruajtjen e sendeve.
Neni 1012
Kreditë e hotelierit, për shpërblimet e kryera ndaj personave
bujtës, kanë privilegj mbi sendet e sjella prej tyre në hotel e
nëvartësitë e tij dhe që vazhdojnë të ndodhen aty.
Privilegji ka efekt edhe në dëm të të tretëve, që kanë të drejta mbi
vetë këto sende, me kusht që hotelieri të jetë në dijeni për këto të
drejta në kohën kur sendet janë sjellë në hotel.
KREU XVII - LLOGARIA RRJEDHËSE
Neni 1013
Llogaria rrjedhëse është një kontratë me të cilën palët detyrohen
të regjistrojnë në një llogari kreditimet reciproke, duke e konsideruar
të padisponueshme dhe të pakthyeshme deri në mbylljen e llogarisë.
Teprica e llogarisë është e kthyeshme me mbarimin e afatit. Në qoftë se
nuk është kërkuar pagimi, teprica konsiderohet e rinovuar për një kohë
të pacaktuar.
Neni 1014
Përjashtohen nga llogaria rrjedhëse, kreditë që nuk mund të
kompensohen. Kur kontrata vepron ndërmjet sipërmarrësve, përjashtohen
nga llogaria kreditë e huaja për ndërmarrjet përkatëse.
Neni 1015
Mbi gjendjen përfitohet kamata në masën e vendosur në kontratë dhe
në mungesë të këtyre nga ligji, por gjithnjë brenda kufijve të caktuara
prej tij.
Neni 1016
Për llogarinë rrjedhëse paguhet komisioni si dhe shpenzimet që janë
dashur për veprimet që kanë lidhje me derdhjet. Këto të drejta nuk
bëjnë pjesë në llogari, përveç kur në marrëveshje parashikohet ndryshe.
Neni 1017
Përfshirja e një kredie në llogarinë rrjedhëse, nuk përjashton
ushtrimin e të drejtës së padisë dhe e të drejtave të tjera, lidhur me
aktin nga i cili rrjedh kredia.
Kur akti i mësipërm është i pavlefshëm, ose shpallet si i tillë, ose i
zgjidhur, pjesa përkatëse e parave përjashtohet nga llogaria rrjedhëse.
Neni 1018
Kur kredia e përfshirë në llogari është e siguruar me një garanci
reale ose personale, klienti ka të drejtë të përdorë këtë garanci për
tepricën ekzistuese në favor të tij nga mbyllja e llogarisë e deri në
arkëtimin e kredisë së garantuar.
Paragrafi i mësipërm zbatohet edhe në qoftë se për kredinë ekziston një bashkëdetyrim solidar.
Neni 1019
Përveç kur palët kanë parashikuar ndryshe në kontratë, përfshirja
në llogarinë rrjedhëse e një kredie ndaj një të treti, prezumohet si e
bërë me kushtin që të paguhet. Në rastin kur kredia nuk përmbushet,
marrësi ka të drejtën të veprojë për mbledhjen, marrjen e shumës së
parave nga llogaria, duke riintegruar atë që ka bërë derdhjen. Mund të
merret kjo shumë parash nga llogaria edhe pasi ushtron pa rezultat të
drejtat e tij kundrejt debitorit.
Neni 1020
Në rast se kreditori i një klienti ka sekuestruar mbetjen eventuale
të llogarisë që i takon debitorit të tij, klienti tjetër nuk mundet, me
derdhje të reja të cenojë të drejtat e kreditorit. Nuk konsiderohen si
derdhje të reja ato që janë bërë në vartësi nga të drejtat e rrjedhura
para sekuestrimit.
Klienti ndaj të cilit është bërë sekuestrimi ose është vënë pengu duhet
të njoftojë anën tjetër. Secili prej tyre mund të tërhiqet nga kontrata.
Neni 1021
Mbyllja e llogarisë me likudimin e tepricës bëhet me mbarimin e
afateve të përcaktuara në kontratë dhe në mungesë të tyre, në përfundim
të çdo 6/mujori të llogaritur që nga data e lidhjes së kontratës.
Neni 1022
Kalimi i veprimeve në llogari nga një klient në një tjetër
nënkuptohet i pranuar në qoftë se nuk është kundërshtuar në afatin e
caktuar prej palëve ose në afatin që mund të konsiderohet i përshtatshëm
sipas rrethanave.
Pranimi i veprimit nuk përfshin të drejtën për ta kundërshtuar për gabime shkrimi ose llogaritjeje, për mosveprim ose dublime.
Kundërshtimi duhet të bëhet brenda 6 muajve nga data e kalimit të
llogarisë, lidhur me likuidimin e mbylljen, e cila duhet të dërgohet
rekomande. Rivendosje në afat nuk lejohet.
Neni 1023
Kur kontrata është lidhur për një kohë të pacaktuar, secila prej
palëve mund të tërhiqet nga kontrata në çdo mbyllje të llogarisë, duke
njoftuar të paktën 10 ditë përpara.
Në rastin e një ndalimi të ushtrimit të këtij aktiviteti, të paaftësisë
për të vepruar, të paaftësisë paguese ose vdekjes së njërës prej palëve,
secila prej tyre, ose trashëgimtarët e tyre, kanë të drejtën të
tërhiqen nga kontrata.
Zgjidhja e kontratës ndalon përfshirjen në llogari të shumave të reja,
por pagimi i mbetjes nuk mund të kërkohet vetëm pas skadimit të
periudhës së përcaktuar në nenin 1021.
KREU XVIII - KONTRATAT BANKARE
A. Depozitat bankare
Neni 1024
Kur depozitohet një shumë parash pranë një banke, kjo fiton
pronësinë dhe është e detyruar t’i kthejë në të njëjtën lloj monedhe, me
skadimin e afatit të përcaktuar ose me kërkesën e depozituesit, duke
patur parasysh periudhën e lajmërimit të përcaktuar nga palët ose nga
zakoni bankar.
Neni 1025
Në rast se banka lëshon një librezë depozite kursimi, derdhjet dhe tërheqjet duhet të shënohen në librezë.
Shënimet mbi librezë të firmosura nga nëpunësi i bankës, që është i
caktuar për këtë shërbim, përbëjnë provë të plotë midis bankës dhe
depozituesit.
Është e pavlefshme çdo marrëveshje e kundërt.
Neni 1026
Në qoftë se libreza e kursimit është e pagueshme tek prurësi, banka
që padashje dhe pa faj të rëndë kryen shërbimin përballë poseduesit,
nuk përgjigjet edhe në qoftë se ky nuk është depozituesi.
E njëjta dispozitë zbatohet në rastin kur libreza e depozitës e
pagueshme tek prurësi të jetë lëshuar në emër të një personi të caktuar.
Janë të përjashtuara dispozitat e ligjeve të veçanta.
Neni 1027
Banka që merr dhe pranon depozitat e titujve në administrim duhet
t’i ruajë titujt duke marrë interesat ose dividentet, të verifikojë
tregtimin për çmimin ose për ripagimin e kapitalit, duke treguar kujdes
për grumbullimin e të ardhurave për llogarinë e depozituesit, dhe në
përgjithësi të kujdeset për mbrojtjen e të drejtave që kanë të bëjnë me
titullin. Shumat e grumbulluara duhet të jenë të kredituara në llogarinë
e depozituesit.
Në qoftë se për titujt e depozituar duhet të ushtrohet një e drejtë
zgjedhjeje, banka duhet të kërkojë në kohë udhëzimet e nevojshme nga
depozituesit dhe t’i realizojë ato, në qoftë se në rast nevoje ka marrë
fonde të nevojshme. Në mungesë të këtyre udhëzimeve, të drejtat e
zgjedhjeve duhet të shiten për llogari të depozituesit nëpërmjet
agjentëve të këmbimit.
Bankës i takon një kompensim në masën e përcaktuar nga marrëveshja e
palëve ose ajo që përdoret zakonisht, përveç pagimit të shpenzimeve të
bëra prej saj.
Është e pavlefshme çdo marrëveshje me të cilën përjashtohet banka nga
ruajtja dhe administrimi i titujve me një kujdesje të zakonshme.
B. Shërbimi bankar dhe kasetat e sigurimit
Neni 1028
Banka, për shërbimin e kasetave të sigurimit, përgjigjet kundrejt
përdoruesit për aftësinë paguese, ruajtjen e lokalit dhe për
paprekshmërinë e kasetës, përveç ndonjë rasti fator.
Neni 1029
Kur kaseta është në emër të disa personave, hapja e saj i njihet secilit prej tyre, përveç ndonjë marrëveshjeje të kundërt.
Në rast vdekje të mbajtësit të vetëm ose të njërit të këtyre mbajtësve,
banka që ka marrë njoftimin mund të lejojë hapjen e kasetës me
marrëveshjen e të gjithë atyre që e kanë të drejtë, ose sipas mënyrës së
përcaktuar nga gjykata.
Neni 1030
Kur afati i kontratës ka mbaruar, banka mbas një lajmërimi të
mbajtësit ose me kalimin e gjashtë muajve nga data e mbarimit, mund t’i
kërkojë gjykatës autorizimin për hapjen e kasetës. Lajmërimi mund të
bëhet edhe nëpërmjet postës rekomande të konfirmuar.
Hapja kryhet në praninë e një noteri duke patur parasysh edhe masat që
gjykata i quan të nevojshme. Gjykata mund të urdhërojë marrjen e masave
të nevojshme për ruajtjen e objekteve të gjetura duke përfshirë edhe
shitjen e një pjese të tyre, që është e nevojshme për të plotësuar
shpenzimet e bëra nga banka.
C. Hapja (çelja) e kredisë bankare
Përkufizimi
Neni 1031
Hapja e kredisë bankare është një kontratë me të cilën banka
detyrohet të mbajë në dispozicion të palës tjetër një shumë parash, për
një periudhë të caktuar kohe ose për një kohë të pacaktuar.
Neni 1032
Përveç kur ka marrëveshje tjetër, në qoftë se nuk është rënë dakord
ndryshe, kredimarrësi mund ta përdorë disa herë kredinë, sipas formave
të përdorimit, dhe mundet që me derdhjet e mëtejshme të rivendosë
disponibilitetin e tij.
Derdhjet dhe tërheqjet realizohen pranë bankës ku ka lindur kjo marrëdhënie, përveç kur është parashikuar ndryshe nga palët.
Neni 1033
Në qoftë se për hapjen e kredisë është dhënë një garanci reale ose
personale, kjo nuk shuhet për faktin se kredimarrësi, në momentin e
mbarimit të kësaj marrëdhënieje, pushon së qëni debitor i bankës.
Kur garancia bëhet e pamjaftueshme, banka mund të kërkojë një garanci suplementare ose zëvendësimin e garantit.
Kur kredimarrësi nuk vepron në përputhje me kërkesat, banka pakëson
kredinë në mënyrë proporcionale me pakësimin e vlerës së garancisë ose
mund të heqë dorë nga kontrata.
Neni 1034
Banka nuk mund të tërhiqet nga kontrata përpara mbarimit të afatit
të kontratës, përveç rasteve të arsyeshme, ose kur ka marrëveshje
tjetër. Heqja dorë ndërpret menjëherë përdorimin e kredisë, por banka
duhet të caktojë një afat të paktën prej pesëmbëdhjetë ditësh për
kthimin e shumave të përdorura dhe ato plotësuese.
Kur dhënia e kredisë është në një kohë të pacaktuar, secila prej palëve
mund të tërhiqet nga kontrata nëpërmjet lajmërimit në afatin e caktuar
në kontratë, që përdoret zakonisht ose, në mungesë të tyre, brenda
pesëmbëdhjetë ditëve.
Ç. Paradhënia bankare
Disponim i sendeve të dhëna peng
Neni 1035
Në paradhënien bankare me pengun mbi titujt ose mbi mallrat, banka
nuk mund të disponojë mbi sendet për të cilat është vënë pengu, në qoftë
se ka lëshuar një dokument në të cilin këto sende janë individualizuar.
Marrëveshja e kundërt duhet të provohet me shkresë.
Neni 1036
Banka duhet të kujdeset për llogari të kontraktuesit për sigurimin e
mallrave të lëna peng nëqoftëse, për nga vetë natyra, vlera dhe
vendndodhja e tyre sigurimi i përgjigjet përkujdesjeve të zakonshme.
Neni 1037
Banka, përveç detyrimeve që i takojnë, ka të drejtën që t’i paguhen
shpenzimet që ka bërë për ruajtjen e mallrave dhe të titujve, përveç
kur e ka marrë përsipër një gjë të tillë.
Neni 1038
Kontraktuesi, edhe përpara mbarimit të afatit të kontratës, mund të
tërheqë titujt ose mallrat e lëna peng, duke bërë më parë një pagesë
proporcionale ndërmjet shumave të marra paradhënie dhe të shumave të
tjera që i përkasin bankës sipas nenit të mësipërm, në qoftë se teprica e
kredisë rezulton e pagarantuar në mënyrë të mjaftueshme.
Neni 1039
Në qoftë se vlera e garancisë pakësohet të paktën në një të dhjetën
në krahasim me vlerën e saj në kohën e lidhjes së kontratës, banka mund
t’i kërkojë debitorit një garanci plotësuese, me paralajmërimin se në
mungesë të saj do të veprohet për shitjen e këtyre mallrave ose titujve
të dhëna peng. Në qoftë se debitori nuk vepron në përputhje me kërkesat,
banka mund të veprojë për shitjen e tyre në bazë të dispozitave për
pengun.
Banka ka të drejtën e pagimit të menjëhershëm të tepricës të llogarisë
që nuk është përmbushur plotësisht nga shumat e rezultuara nga shitja.
Neni 1040
Në qoftë se me garancitë e një ose më shumë kredive janë bllokuar
depozita në para, mallra ose tituj që nuk kanë qenë të individualizuar
ose për të cilat i është lënë bankës mundësia për t’i disponuar, banka
duhet të kthejë vetëm shumën ose një pjesë të mallrave ose të titujve që
tejkalojnë shumën e kredive të garantuara. Ky tejkalim përcaktohet në
lidhje me vlerën e mallrave ose të titujve në kohën e mbarimit të
kredive.
D. Veprimet bankare me llogari rrjedhëse
Neni 1041
Kur depozita, çelja e kredisë ose veprimet e tjera bankare janë
rregulluar në Ilogarinë rrjedhëse, klienti mund të disponojë në çdo kohë
shumat që rezultojnë në kredinë e tij, përveç kur rezerva e afatit,
është parashikuar në marrëveshje.
Neni 1042
Në rast se midis bankës dhe klientit ekzistojnë disa marrëdhënie
ose disa llogari, edhe në monedha të ndryshme, teprica aktive dhe pasive
kompensohen në mënyrë reciproke, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.
Neni 1043
Në rastin kur llogaria likujduese është në emër të disa personave,
me të drejtën për të kryer veprime edhe në mënyrë individuale, këta
persona quhen kreditorë ose debitorë solidarë të tepricave të llogarisë.
Neni 1044
Në rast se veprimet në llogarinë rrjedhëse janë për një kohë të
pacaktuar, secila prej palëve mund të tërhiqet nga kontrata, duke
lajmëruar palën tjetër brenda afatit të caktuar në kontratë ose në
mungesë të tij, brenda 15 ditëve.
Neni 1045
Banka përgjigjet sipas dispozitave që rregullojnë kontratën e
porosisë për ekzekutimin e detyrimeve të marra nga depozituesi ose nga
një klient tjetër.
Në qoftë se ky detyrim duhet të kryhet aty ku nuk ekzistojnë degë të
bankës, kjo mund të ngarkojë për ekzekutim një bankë tjetër.
Neni 1046
Për llogarinë rrjedhëse zbatohen edhe nenet 1016,1019,1022.
E. Skontoja bankare
Neni 1047 - Përkufizimi
Skontoja është kontrata me anë të së cilës banka, duke zbatuar
kamatën i jep klientit vleftën e një kredie ndaj të tretëve, që nuk ka
mbaruar akoma, nëpërmjet cedimit.
Skontoja e kambialeve
Neni 1048
Në qoftë se skontoja bëhet nëpërmjet xhirimit të kambialit ose të
çekut bankar, banka në rast se nuk kryhet pagimi, përveç të drejtave të
rrjedhura nga titulli, gëzon edhe të drejtën e kthimit të paradhënies.
Ruhen dispozitat e ligjeve të veçanta lidhur me çekun dhe kambialin.
Neni 1049
Banka që ka skontuar kambialet e dokumentuara, gëzon mbi mallin të
njëjtin privilegj qe ka edhe i porosituri, deri sa titulli përfaqësues
është në posedimin e tij.
KREU XIX - HUAJA
Neni 1050
Me kontratën e huasë njëra palë (huadhënësi) i jep në pronësi palës
tjetër (huamarrësit) një shumë të hollash ose sende që përcaktohen në
numër, me peshë ose me masë dhe huamarrësi detyrohet t’i kthejë
huadhënësit aq të holla, ose aq sende të atij lloji dhe të asaj cilësie,
brenda afatit të caktuar në kontratë ose, kur nuk është caktuar afat,
me kërkesën e huadhënësit.
Neni 1051
Përveç kur me marrëveshje të palëve është parashkuar ndryshe, huamarrësi duhet t’i paguajë huadhënësit kamatat.
Kamatat, për të cilat është rënë dakord, paguhen çdo vit, përveç kur palët kanë parashikuar ndryshe.
Mospagimi i kamatave përbën mospërmbushje thelbësore të detyrimit.
Neni 1052
Në rast se palët janë marrë vesh për kthimin me këste të parave ose
të sendeve dhe huamarrësi nuk përmbush detyrimin e pagimit të dy
kësteve ose nuk përmbush, me një vonesë prej më shumë se tre muaj,
pagimin e vetëm një kësti, huadhënësi mund të kërkojë kthimin e
menjëhershëm të parave ose të sendeve të dhënë hua.
Neni 1053
Kur kthimi i sendeve të dhëna hua është bërë i pamundur ose tepër i
vështirë pa fajin e debitorit, ky është i detyruar të paguajë vleftën e
tyre, duke marrë parasysh kohën dhe vendin në të cilën do të bëhej
kthimi.
Neni 1054
Huadhënësi është përgjegjës për dëmin që i ka shkaktuar
huamarrësit, për të metat e sendeve të dhëna hua, në qoftë se nuk provon
se nuk ishte faji i tij që nuk kishte dijeni për ato.
Në qoftë se huaja është pa shpërblim, huamarrësi është përgjegjës vetëm
në rastin kur, duke i ditur cenet, nuk e ka njoftuar huadhënësin për to.
Neni 1055
Kush ka premtuar të japë hua, mund të refuzojë të përmbushë
detyrimin, po qe se kushtet pasurore të palës tjetër janë në gjëndje të
tillë sa e bëjnë tepër të vështirë kthimin dhe huadhënësit nuk i janë
ofruar garanci të përshtatshme.
KREU XX - FRANCHISING
Neni 1056 - Përkufizimi
Kontrata franchising përmban një raport detyrimesh të vazhdueshme
me të cilin ndërmarrje të pavarura detyrohen ndërmjet njëra-tjetrës që
të nxisin e të zhvillojnë bashkërisht tregtinë dhe kryerjen e
shërbimeve, në zbatim të detyrimeve të veçanta.
Neni 1057 - Detyrimet e franchisor-it
Franchisor-i (franshizdhënësi) ka detyrimin të vërë në dispozicion
të franchizee-së (franshizmarrësit) një tërësi të standardizuar të
drejtash jo materiale, modelesh, skicash, idesh fitimi, tregtimi dhe
organizimi e njohuri të tjera të përshtatshme për zhvillimin e tregtisë.
Ndërkaq ai është i detyruar të ruajë gjithë këtë program detyrimesh nga
cenimi prej të tretëve, ta zhvillojë atë vazhdimisht dhe të mbështesë
zbatimin e tij nga franshizmarrësi me udhëzime, informacione e
perfeksionime.
Neni 1058 - Marrëdhëniet parakontraktore
Në bisedimet për përfundimin e kontratës palët duhet t’i tregojnë
njëra-tjetrës gjendjen e punëve tregtare që kanë të bëjnë me kontratën
franchise dhe veçanërisht programin e detyrimeve franchise, si dhe të
informojnë njëri-tjetrin sipas parimeve të mirëbesimit. Ata janë të
detyruar të ruajnë sekretin e informatave konfidenciale, edhe po të mos
përfundohet kontrata.
Kush shkel këtë detyrim, detyrohet të shpërblejë dëmin. Kjo e drejtë
parashkruhet me kalimin e tre vjetëve nga dita e pushimit të bisedimeve.
Pala që ka marrë pjesë në bisedime mund të kërkojë pagimin e shpenzimeve
të bëra me besim të ligjshëm në përfundimin e kontratës, e cila nuk u
përfundua për shkak të një sjelljeje të qëllimshme të palës tjetër.
Neni 1059 - Forma e kontratës
Kontrata franchising duhet të bëhet me shkresë duke përcaktuar ndër
të tjera një përkufizim të njëzëshëm të detyrimeve të ndërsjella të
palëve, kohëzgjatjen e kontratës dhe të elementeve të tjera thelbësore
të saj. Teksti i kontratës duhet të përmbajë një përshkrim të plotë të
programit e të detyrimeve franchising.
Neni 1060 - Heqja dorë nga kontrata
Kohëzgjatja e kontratës vendoset me marrëveshje të palëve, duke
respektuar kërkesat e diktuara nga tregtia dhe shërbimet përkatëse.
Kur në kontratë nuk është përcaktuar afat, ose afati është më tepër se
dhjetë vjet, secila palë ka të drejtë të heqë dorë nga kontrata, duke e
njoftuar palën tjetër një vit më parë.
Në rast pushimi të kontratës si rrjedhim i plotësimit të afatit ose
heqjes dorë prej saj dhe përpara paraqitjes aktuale të raportit të
punëve, palët, të udhëhequra nga parimet e mirëbesimit, bëjnë një
përpjekje për të rënë dakord për ripërtëritjen e kontratës në kushte të
njëjta ose të ndryshuara.
Neni 1061 - Ndalimi i konkurrencës
Edhe pas pushimit të marrëdhënieve kontraktore palët kanë reciprokisht detyrimin për një konkurencë të ndershme.
Mbi këtë bazë, franchismarrësit mund t’i imponohet një ndalim i konkurencës lokale për një kohë deri në një vit.
Në qoftë se nga ndalimi i konkurrencës rezulton një pakësim i
veprimtarisë së tij profesionale, franchismarrësit i jepet një kompensim
financiar i barasvlershëm, pa marrë parasysh pushimin e kontratës.
Përgjegjësia e franchismarrësit
Neni 1062
Franchisdhënësi përgjigjet për qenien e të drejtave dhe të
njohurive të programit të detyrimeve franchise. Në rast se të drejtat
nuk do të ekzistonin ose në qoftë se franchisdhënësi do të shkelte të
tjera detyrime kontraktore me mënyrë të fajshme, franchismarrësi ka të
drejtë të pakësojë shpërblimin. Shuma e pakësuar duhet të vendoset me
kompetencë me anën e një eksperti të paanshëm. Franchismarrësi mund të
kërkojë shlyerjen e dëmit të shkaktuar nga mosqënia e elementeve të
programit të detyrimeve ose nga shkelja me faj e kontratës nga ana e
franchisdhënësit.
Neni 1063
Franchisdhënësi mund të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar
nga shkelja me faj e kontratës, në veçanti nga zbatimi i pamjaftueshëm i
programit të detyrimeve franchise, nga ana e franchismarrësit.
Neni 1064 - Heqja dorë
Në rast shkelje detyrimesh kontraktore që vënë seriozisht në rrezik
qëllimin për zhvillimin e tregtisë, pala kontraktuese ka të drejtën të
heqë dorë nga kontrata, pa iu referuar afatit.
KREU XXI - RENTA JETORE
Neni 1065
Renta jetore mund të krijohet kundrejt shpërblimit (me titull
barrësor) nëpërmjet tjetërsimit të një pasurie të luajtshme ose të
paluajtshme ose të një shume parash.
Renta jetore mund të krijohet edhe me anë dhurimi ose me testament, duke
respektuar kërkesat e ligjit për veprime juridike të tilla.
Neni 1066
Renta jetore mund të jepet për të gjithë jetën e përfituesit ose të
një personi tjetër. Ajo mund të formohet edhe për gjithë jetën e një
ose disa personave.
Neni 1067
Kur renta është formuar në favor të shumë personave, pjesa e një
përfituesi të vdekur më parë, rritet në favor të të tjerëve, përveç kur
ka marrëveshje të kundërt.
Neni 1068
Kontrata e rentës jetore e krijuar në favorin e një personi, i cili në kohën e kontratës kishte vdekur, është e pavlefshme.
Efektet e kontratës së rentës jetore
Neni 1069
Personi në dobi të të cilit është krijuar renta jetore, me titull
barrësor, mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës, në qoftë se personi që
jep rentën nuk jep garancitë ose ul garancitë e dhëna në marrëveshje.
Neni 1070
Mospagimi i kësteve të arrira të rentës jetore nuk i jep të drejtën
personit, në favor të të cilit është krijuar renta, që të kërkojë
zgjidhjen e kontratës; por vetëm mund të kërkojë që të sekuestrohen e të
shiten pasuritë e debitorit të tij dhe nga të ardhurat e shitjes të
përdoret një shumë e mjaftueshme për të siguruar pagimin e rentës.
Neni 1071
Debitori i rentës nuk mund të shkarkohet nga detyrimi për pagimin e
saj edhe sikur të ofrojë pagimin e shumës së parave ose të gjësë së
marrë, qoftë dhe duke hequr dorë nga pagimi i kësteve të shlyera.
I sipërmi është i detyruar të paguajë rentën për të gjithë kohën që
është krijuar, sado i rëndë që të jetë bërë detyrimi i rentës, përveç
kur ka marrëveshje të kundërt.
Neni 1072
Renta jetore i jepet personit, në favor të të cilit është krijuar,
në proporcion me numrin e ditëve që ka jetuar. Në rast se në marrëveshje
është parashikuar që të parapaguhet me këste, secili prej tyre fitohet
nga dita që plotësohet afati i pagimit.
Neni 1073
Në rast se renta jetore është krijuar mbi bazën e një titulli pa
shpërblim, mund të parashikohet (ose të vendoset) që kjo të jetë e
pasekuestrueshme.
KREU XXII - SHOQËRIA E THJESHTË
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1074
Shoqëria është një kontratë me të cilën dy apo më shumë persona
merren vesh për të ushtruar një aktivitet ekonomik, me qëllim që të
ndajnë fitimet që rrjedhin prej tij.
Personi anëtar i shoqërisë duhet të vërë në dispozicion të këtij aktiviteti para, sende apo shërbime.
Neni 1075
Në shoqërinë e thjeshtë kontrata nuk është objekt i ndonjë forme të
veçantë, përveç kur kërkohet nga natyra e sendeve të bashkuara.
Shoqëria është e thjeshtë, kur nuk paraqet cilësitë dalluese të shoqërisë tregtare të rregulluara në Kodin Tregtar.
Marrëdhëniet midis anëtarëve
Neni 1076
Anëtari është i detyruar të paguajë kontributet e caktuara në
kontratën e shoqërisë. Prezumohet se anëtarët janë të detyruar të
kontribuojnë, në pjesë të barabarta midis tyre, sa është e nevojshme për
arritjen e qëllimit të shoqërisë, përveç kur në kontratë është
parashikuar ndryshe.
Neni 1077
Kontrata e shoqërisë mund të ndryshohet vetëm me pëlqimin e të
gjithë ortakëve, në qoftë se në marrëveshje nuk është rënë dakord
ndryshe.
Neni 1078
Për sendet e dhëna në pronësi, garancia e kërkuar nga anëtari dhe kalimi i rreziqeve rregullohen nga dispozitat mbi shitjen.
Neni 1079
Anëtari që ka kontribuar në kredi, përgjigjet për paaftësinë
paguese të debitorit, brenda caqeve të treguara në nenin 506 të këtij
Kodi për rastin e marrjes me marrëveshje të garancisë.
Neni 1080
Përveç se kur me marrëveshje është parashikuar ndryshe,
administrimi i shoqërisë i takon secilit prej anëtarëve veçmas nga të
tjerët.
Po qe se administrimi u takon veçmas disa anëtarëve, secili prej tyre ka
të drejtë të kundërshtojë veprimin që dëshiron të kryejë një tjetër,
përpara se ky të kryhet.
Shumica e anëtarëve, e përcaktuar sipas pjesës së çdo anëtari në fitim, zgjidh mosmarrëveshjen.
Neni 1081
Në qoftë se administrimi u takon në mënyrë të përbashkët disa
anëtarëve, është i nevojshëm pëlqimi i të gjithë ortakëve administratorë
për kryerjen e veprimeve të shoqërisë.
Në qoftë se është vendosur që për administrimin ose për veprime të
caktuara të jetë i nevojshëm miratimi i shumicës, kjo përcaktohet sipas
paragrafit të fundit të nenit 1080 të këtij Kodi.
Në rastet e parashikuara në këtë nen, administratorët e veçantë nuk mund
të kryejnë të vetëm ndonjë veprim, veç në raste të ngutshme, kur duhet
shmangur një dëm që i kanoset shoqërisë.
Neni 1082
Heqja e administratorit të emëruar në kontratën e shoqërisë mund të bëhet për një shkak të drejtë.
Administratori i emëruar me një akt të veçantë mund të hiqet sipas
dispozitave të kontratës së porosisë. Në një rast të tillë heqja e tij
mund të kërkohet edhe në rrugë gjyqësore nga çdo anëtar.
Neni 1083
Të drejtat dhe detyrimet e administratorëve rregullohen me
dispozitat mbi porosinë. Administratorët janë përgjegjës solidarisht
ndaj shoqërisë për përmbushjen e detyrimeve që u janë ngarkuar me ligj
ose nga kontrata e shoqërisë, përveç kur provojnë se nuk kanë faj.
Neni 1084
Anëtarët që nuk marrin pjesë në administrim kanë të drejtë që të
marrin njoftim nga administratorët për ecurinë e punëve të shoqërisë, të
konsultohen me dokumentet që lidhen me administrimin dhe të marrin një
raport kur të jenë kryer punët për të cilat është krijuar shoqëria.
Në qoftë se kryerja e punëve të shoqërisë zgjat më shumë se një vit,
anëtarët kanë të drejtë të marrin raportin e administratës në fund të
çdo viti, përveç rastit kur kontrata parashikon një afat tjetër.
Neni 1085
Përveç marrëveshjes së kundërt, çdo anëtar ka të drejtë të marrë pjesën e vet të fitimeve pas miratimit të raportit.
Neni 1086
Pjesët që u takojnë anëtarëve në fitimet ose në humbjet prezumohen
në përpjesëtim me kuotat e kontribuara. Në qoftë se vlera e kontributeve
nuk përcaktohet nga kontrata, caktohet nga gjykata. Në qoftë se
kontrata përcakton vetëm pjesën e çdo anëtari në fitimet, në të njëjtën
masë prezumohet se duhet të përcaktohet edhe pjesëmarrja në humbjet.
Neni 1087
Çdo marrëveshje që përjashton një ose më shumë anëtarë nga pjesëmarrja në fitimet ose humbjet, është e pavlefshme.
Marrëdhënie me të tretët
Neni 1088
Shoqëria fiton të drejta dhe merr përsipër detyrime me anë të anëtarëve që kanë të drejtën për ta përfaqësuar.
Në mungesë të dispozitave të tjera në kontratë, përfaqësimi i takon çdo
anëtari administrator dhe shtrihet për të gjitha aktet që përfshihen në
objektin e shoqërisë. Ndryshimet dhe shuarja e tagrave të përfaqësimit
rregullohen me dispozitat për përfaqësimin.
Neni 1089
Kreditorët e shoqërisë mund të kërkojnë të drejtat e tyre mbi
pasurinë e shoqërisë. Për detyrimet e shoqërisë gjithashtu përgjigjen
personalisht ose solidarisht anëtarët që kanë vepruar në emër dhe për
llogari të shoqërisë dhe, po të ketë marrëveshje tjetër, edhe anëtarët e
tjerë.
Marrëveshja duhet t’u bëhet e ditur të tretëve me mjete të përshtatshme,
në mungesë të marrjes dijeni, kufizimi i përgjegjësisë ose përjashtimi
nga përgjegjësia solidare nuk mund t’u kundrejtohet atyre që nuk kanë
patur dijeni për të.
Neni 1090
Anëtari, të cilit i kërkohet pagimi i detyrimeve të shoqërisë, mund
të kërkojë, edhe kur shoqëria është në likuidim, ekzekutimin paraprak
ndaj pasurisë së shoqërisë, duke treguar sendet mbi të cilat kreditori
mund të shpërblehet më së miri.
Neni 1091
Ai që bëhet anëtar në një shoqëri të krijuar më parë, përgjigjet së
bashku me anëtarët e tjerë për detyrimet e shoqërisë përpara se ta ketë
fituar cilësinë e anëtarit.
Neni 1092
Kreditori i veçantë i anëtarit, deri sa zgjat shoqëria, mund të
kërkojë të drejtat e tij mbi fitimet që i takojnë debitorit, si dhe
marrjen e masave ruajtëse (konservative) mbi kuotën që i takon këtij të
fundit në likuidim.
Në qoftë se sende të tjera të debitorit janë të pamjaftueshme për të
shpërblyer kreditë e tij, kreditori i veçantë i anëtarit mund të
kërkojë, veç kësaj, në çdo kohë likuidimin e kuotës së debitorit të tij.
Kuota duhet të likuidohet brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës,
përveç kur është vendosur shpërndarja e shoqërisë.
Neni 1093
Nuk pranohet kompensimi midis detyrimit që një i tretë ka ndaj shoqërisë dhe kredisë që ky ka ndaj një anëtari.
Shpërndarja e shoqërisë
Neni 1094
Shoqëria shpërndahet:
1. me mbarimin e afatit;
2. me realizimin e objektit të shoqërisë ose për pamundësinë e realizimit të tij;
3. me vullnetin e të gjithë anëtarëve;
4. për shkaqe të tjera të parashikuara në kontratën e shoqërisë.
Neni 1095
Kontrata e shoqërisë zgjatet në heshtje për një kohë të pacaktuar
kur, sadoqë ka kaluar afati i parashikuar në kontratë, anëtarët
vazhdojnë të kryejnë veprime të shoqërisë.
Neni 1096
Pas shpërndarjes së shoqërisë anëtarët administrues ruajnë
pushtetin e administrimit vetëm për çështjet e ngutshme, derisa të
ndërmerren veprimet e nevojshme për likuidimin.
Neni 1097
Në qoftë se kontrata nuk parashikon mënyrën e likuidimit të
pasurisë dhe anëtarët nuk janë në një mendje për ta përcaktuar atë,
likuidimi bëhet nga një ose disa likuidues, të emëruar me pëlqimin e të
gjithë ortakëve ose, në rast mosmarrëveshjeje, nga gjykata.
Likuiduesit mund të revokohen me vullnetin e të gjithë ortakëve dhe në
çdo rast nga gjykata me kërkesën e arsyetuar të njërit ose të disa
anëtarëve.
Neni 1098
Detyrimet dhe përgjegjësitë e likuiduesve rregullohen sipas
rregullave të vendosura nga administratorët, përderisa nuk parashikohet
ndryshe nga dispozitat e mëposhtme ose nga kontrata e shoqërisë.
Neni 1099
Administratorët duhet t’u dorëzojnë likuiduesve sendet dhe
dokumentet e shoqërisë dhe t’u paraqesin atyre llogarinë e administrimit
për periudhën pas raportimit të fundit.
Likuiduesit duhet të marrin në dorëzim sendet dhe dokumentet e shoqërisë
dhe të hartojnë, së bashku me administratorët, inventarin nga ku të
rezultojë gjendja aktive dhe pasive e pasurisë së shoqërisë.
Inventari duhet të nënshkruhet nga administratorët dhe nga likuiduesit.
Neni 1100
Likuiduesit mund të kryejnë aktet e nevojshme për likuidim dhe, po
qe se anëtarët nuk kanë parashikuar ndryshe, mund të shesin edhe në
bllok pasurinë e shoqërisë dhe të bëjnë marrëveshje e kompromise.
Ata përfaqësojnë shoqërinë edhe në gjykim.
Neni 1101
Likuiduesit nuk mund të ndërmarrin veprime të reja. Në rast të
kundërt ata përgjigjen personalisht dhe solidarisht për punët e
filluara.
Neni 1102
Likuiduesit nuk mund të ndajnë midis anëtarëve, qoftë edhe
pjesërisht, pasurinë e shoqërisë, derisa të mos jenë paguar kreditorët e
shoqërisë, ose të mos jenë vënë mënjanë shumat e nevojshme për të
paguar ata.
Në qoftë se fondet në dispozicion janë të pamjaftueshme për pagimin e
detyrimeve të shoqërisë, likuiduesit mund t’u kërkojnë anëtarëve
derdhjet për të cilat ata ende detyrohen në kuotat përkatëse dhe, po të
jetë nevoja, shumat e nevojshme në kufijtë e përgjegjësisë përkatëse dhe
në përpjesëtim me pjesën e secilit në humbjet. Në të njëjtin
përpjesëtim pjesëtohet midis anëtarëve detyrimi i anëtarit me paaftësi
për të paguar.
Neni 1103
Anëtarët që kanë kontribuar me pasuri për t’u përdorur, kanë të
drejtë ta marrin atë përsëri në gjendjen në të cilën ndodhet. Po qe se
sendet kanë humbur ose janë dëmtuar për shkaqe që mund t’u ngarkohen
administratorëve, anëtarët kanë të drejtë për shpërblimin e dëmit në
ngarkim të pasurisë së shoqërisë, përveç rastit kur mund të ngrihet padi
kundër administratorëve.
Neni 1104
Pasi shlyhen detyrimet e shoqërisë, aktivi i mbetur destinohet për
pagimin e kuotave të kontributeve. Teprica e mundshme ndahet midis
anëtarëve në përpjesëtim me pjesën e secilit në fitim.
Vlefta e kuotave të kontributeve që nuk kanë për objekt shuma parash,
përcaktohet sipas vlerësimit që është bërë në kontratë ose, në mungesë
të tij, sipas vleftës që ata kanë patur në momentin kur janë dhënë.
Neni 1105
Në qoftë se në marrëveshje është parashkuar që ndarja e sendeve të
bëhet në natyrë, zbatohen dispozitat mbi ndarjen e sendeve të
përbashkëta.
Zgjidhja e marrëdhënies së një anëtari me shoqërinë
Neni 1106
Çdo anëtar mund të tërhiqet nga shoqëria kur ajo është formuar për
një kohë të pacaktuar ose për gjithë jetën e njërit prej anëtarëve.
Veç kësaj mund të tërhiqet në rastet e parashikuara në kontratën e shoqërisë ose kur ekziston një shkak i drejtë.
Në rastet e parashikuara në paragrafin e parë, tërheqja duhet t’u komunikohet anëtarëve të tjerë të paktën tre muaj përpara.
Neni 1107
Përveç kur në kontratën e shoqërisë është parashikuar ndryshe, në
rast vdekjeje të njërit prej anëtarëve, të tjerët duhet të likuidojnë
kuotën në favor të trashëgimtarëve, veç kur preferojnë të shpërndajnë
shoqërinë ose ta vazhdojnë më vete trashëgimtarët, dhe këta japin
pëlqimin.
Neni 1108
Përjashtimi i një anëtari mund të ndodhë për shkak mospërmbushjeje
të rëndësishme të detyrimeve që rrjedhin nga ligji ose nga kontrata e
shoqërisë, si dhe për ndalimin, pazotësinë ose për dënimin e tij me një
masë që përfshin edhe ndalimin, qoftë edhe të përkohshëm, nga detyrat
zyrtare.
Anëtari që ka dhënë si kontribut në shoqëri veprën e vet ose gëzimin e
një sendi, mundet gjithashtu të përjashtohet për shkak të
papërshtatshmërisë së menjëhershme për të kryer veprën e dhënë ose për
humbjen e sendit, që ka ndodhur për shkaqe që nuk mund t’u ngarkohen
administratorëve.
Gjithashtu, mund të përjashtohet anëtari që ka kontribuar me anë të
transferimit të pronësisë së një sendi, në qoftë se ky humbet përpara se
sendi të fitohet nga shoqëria.
Neni 1109
Përjashtimi vendoset nga shumica e anëtarëve, duke mos përfshirë në
numrin e tyre anëtarin për t’u përjashtuar dhe ka efekt pas 30 ditëve
nga data kur i është bërë njoftimi anëtarit të përjashtuar.
Brenda këtij afati ortaku i përjashtuar mund të paraqesë kundërshtim
përpara gjykatës, e cila mund të pezullojë zbatimin e vendimit.
Po qe se shoqëria përbëhet nga dy anëtarë, përjashtimi i njërit bëhet nga gjykata me kërkesën e tjetrit.
Neni 1110
Përjashtohen nga shoqëria edhe:
a) anëtari që është deklaruar i falimentuar;
b) anëtari ndaj të cilit një kreditor i tij i caktuar ka arritur të ketë
të drejtën e likuidimit të kuotës sipas nenit 1092 të këtij Kodi.
Përjashtimi i parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni nuk
zbatohet në rastet kur falimentimi i anëtarit është pasojë e
falimentimit të shoqërisë.
Neni 1111
Në rastin kur nga shoqëria largohet vetëm një anëtar, ky dhe
trashëgimtarët e tij kanë të drejtë vetëm për një shumë të hollash që
përfaqësojnë vlerën e kuotës.
Likuidimi i kuotës bëhet në bazë të gjendjes pasurore të shoqërisë ditën kur ndodh largimi i anëtarit.
Në qoftë se ka aktivitete në vazhdim, anëtari dhe trashëgimtarët e tij
kanë pjesë në fitimet dhe humbjet që kanë të bëjnë me këto aktivitete.
Përveç sa parashikohet në nenin 1092, pagimi kuotës që i takon ortakut
duhet bërë brenda 6 muajve nga dita e largimit të tij.
Neni 1112
Në rastin kur nga shoqëria largohet vetëm një anëtar, ky ose
trashëgimtarët e tij janë përgjegjës ndaj të tretëve për detyrimet e
shoqërisë deri në ditën kur ai është larguar.
Largimi duhet t’u bëhet i ditur të tretëve me mjete të përshtatshme,
përndryshe, ajo nuk mund t’u kundrejtohet të tretëve që, jo për fajin e
tyre, nuk e kanë ditur.
KREU XXIII - SIGURIMI
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1113
Me kontratën e sigurimit, njëra palë (siguruesi), në qoftë se vërtetohet ngjarja e parashikuar në kontratë, detyrohet:
a) në rastin e sigurimit të pasurisë t’i shpërblejë palës tjetër ose
një personi të tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, dëmin e
pësuar brenda kufijve të shumës që është parashikuar në kontratë;
b) në rastin e sigurimit të personit t’i paguajë palës tjetër ose një
personi të tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, shumën e
sigurimit që është parashikuar në kontratë.
I siguruari detyrohet të paguajë primin (çmimin e sigurimit) të
caktuar në kontratë. Siguruesi mund të jetë person publik ose privat.
Neni 1114
Kontrata e sigurimit duhet të bëhet me shkresë, me anë të dëshmisë
të sigurimit (policës së sigurimit) që siguruesi i lëshon të siguruarit,
përndryshe është e pavlefshme.
Neni 1115
Në dëshminë e sigurimit të tregohen sidomos:
a) emri i siguruesit;
b) emri i personit të siguruar, në rastin e sigurimit të personit,
pasuria e siguruar dhe vendi ku ndodhet kjo pasuri në rastin e sigurimit
të pasurisë;
c) ngjarja me vërtetimin e së cilës siguruesi të përmbushë detyrimin që ka marrë në kontratë;
ç) fillimi dhe mbarimi i kontratës së sigurimit (afati i sigurimit);
d) koha nga e cila fillon përgjegjësia e siguruesit;
e) vlerësimi i pasurisë në ato raste që kjo gjë kërkohet për një lloj të caktuar sigurimi;
ë) primet e sigurimit dhe afatet e pagimit të tyre.
Kur sipas ligjit ose sipas kontratës shpërblimi i sigurimit ose
shumat e sigurimit duhet t’i paguhen jo vetëm të siguruarit, por edhe
një personi të tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, ky
kusht duhet të tregohet në dëshminë e sigurimit.
Neni 1116
Kur humbet dëshmia e sigurimit, siguruesi, me kërkesën dhe shpenzimet e të siguruarit, duhet të lëshojë një dublikatë të saj.
Neni 1117
I siguruari duhet t’i njoftojë siguruesit, me rastin e lidhjes së
kontratës, të gjitha rrethanat për të cilat ka dijeni dhe që kanë
rëndësi thelbësore për përcaktimin e natyrës dhe të masës së rrezikut.
Quhet se kanë rëndësi thelbësore të gjitha rrethanat për të cilat siguruesi ka pyetur me shkresë të siguruarin.
Kontrata e sigurimit e lidhur pa u marrë përgjigja në ndonjë nga këto pyetje, nuk mund të jetë, për këtë shkak, e pavlefshme.
Neni 1118
Kur pas lidhjes së kontratës së sigurimit del se i siguruari duke
ditur ka dhënë informata jo të sakta në kërkesën ose në dokumentet e
paraqitura prej tij dhe në bazë të të cilave është lidhur kontrata e
sigurimit, siguruesi brenda tre muajve nga marrja dijeni ka të drejtë:
a) të ndryshojë masën e primit të sigurimit, të shumës së sigurimit ose afatin e sigurimit;
b) të zgjidhë kontratën e sigurimit në rast se ka rrethana të tilla,
që po t’i dinte siguruesi nuk do të kishte lidhur kontratën. Në këtë
rast,
primet e sigurimit deri në kohën që kërkohet prishja e kontratës, e në
çdo rast primi i sigurimit për t’u paguar në vitin e parë të kontratës,
nuk i kthehen të siguruarit.
Në qoftë se vërtetohet ngjarja e sigurimit përpara se të fillojë
afati i treguar në paragrafin e mësipërm, siguruesi nuk është i detyruar
të paguajë shumën e sigurimit.
Kur kontrata e sigurimit është lidhur për më shumë se një person ose
sende, ajo mbetet e vlefshme për ata persona ose sende, të cilëve nuk u
referohen deklarimet e pasakta apo heshtja.
Neni 1119
Dhënia e informatave të pasakta në kërkesën ose në dokumentet e
paraqitura, në bazë të të cilave është lidhur kontrata e sigurimit, ose
lënia në harresë e informatave kur vërtetohet se nuk janë bërë me dashje
ose nga pakujdesia e rëndë, nuk përbën shkak për zgjidhjen e kontratës,
por siguruesi mund të heqë dorë nga kontrata, duke e njoftuar të
siguruarin me shkrim, brenda 3 muajve nga marrja dijeni e tyre.
Në qoftë se ngjarja e sigurimit vërtetohet përpara se pasaktësitë e
informatave ose lënia në harresë e tyre, të njihen nga siguruesi, ose
përpara se të jetë deklaruar heqja dorë nga kontrata, shuma e detyruar
ulet në proporcion me diferencën midis shumës së caktuar në kontratë dhe
asaj që do të ishte zbatuar, në se do të njihej gjendja e vërtetë e
fakteve.
Neni 1120
Kur kontrata e sigurimit lidhet në emër e për llogari të të tretëve
dhe këta janë në dijeni për pasaktësinë e deklarimeve ose të harresave
në lidhje me rrezikun (rastin e sigurimit), në favor të siguruesit
zbatohen dispozitat e neneve 1118, 1119 të këtij Kodi.
Neni 1121
Kontrata e sigurimit është e pavlefshme, në qoftë se vërtetohet se
rreziku i sigurimit nuk ka ekzistuar asnjëherë ose ka pushuar së qeni
para përfundimit të kontratës.
Neni 1122
Kontrata e sigurimit zgjidhet në qoftë se rreziku i sigurimit
pushon së qeni pas përfundimit të kontratës, por siguruesi ka të drejtën
e pagimit të primeve, derisa pushimi i qenies së rrezikut të sigurimit
t’i jetë njoftuar ose t’i jetë bërë e ditur në një mënyrë tjetër.
Neni 1123
I siguruari gjatë kohës që kontrata e sigurimit është në fuqi
detyrohet t’i njoftojë siguruesit të gjitha ndryshimet e rrethanave për
të cilat ka marrë dijeni pas lidhjes së kontratës së sigurimit dhe që
mund të influencojë mbi shtimin e rrezikut.
Në qoftë se i siguruari nuk bën njoftimin e sipërm, siguruesi ka të
drejtë, që nga çasti i shtimit të rrezikut, të ndryshojë masën e primit
të sigurimit, të shumës së sigurimit, afatin e sigurimit ose të zgjidhë
kontratën.
Kur i siguruari nuk pranon ndryshimin ose zgjidhjen e kontratës, ka të drejtë t’i drejtohet me padi gjykatës.
Neni 1124
Kontrata e sigurimit hyn në fuqi në orën 24 të ditës së përfundimit
të kontratës dhe mbaron në orën 24 të ditës së fundit të kohëzgjatjes
së kontratës.
Kur afati i kontratës është mbi 10 vjet, palët me kalimin e këtij afati
dhe në rast se nuk kanë ndonjë marrëveshje të kundërt, kanë të drejtë të
heqin dorë nga kontrata, duke bërë një paralajmërim 6 muaj më parë.
Kontrata mund të zgjatet heshtazi një ose disa herë, por në çdo rast jo më shumë se për dy vjet.
Kjo dispozitë nuk zbatohet për kontratën e sigurimit të jetës.
Neni 1125
Kontraktuesi detyrohet t’i paguajë siguruesit primin e sigurimit në
afatet e caktuara në kontratë. Në qoftë se primi ose kësti i parë i tij
nuk paguhet në afat, sigurimi pezullohet deri në orën 24 të ditës që
kontraktuesi paguan shumën që detyrohet.
Kur kontraktuesi nuk paguan primet në vazhdim, sipas afateve të
caktuara, sigurimi pezullohet nga ora 24 e ditës së pesëmbëdhjetë pas
mbarimit të afatit të pagimit dhe siguruesi ka të drejtë të kërkojë
zgjidhjen e kontratës.
Neni 1126
Kur vërtetohet ngjarja e sigurimit, i siguruari detyrohet të
njoftojë siguruesin brenda afatit të parashikuar në kontratë. Në qoftë
se i siguruari nuk bën këtë njoftim, siguruesi ka të drejtë të mos
paguajë shpërblimin e sigurimit ose shumën e sigurimit.
Neni 1127
I siguruari ose personi i tretë, në dobinë e të cilit është lidhur
kontrata e sigurimit, detyrohet të provojë se ka ndodhur ngjarja e
sigurimit dhe, në sigurimin e pasurisë të provojë edhe sasinë e dëmit,
si dhe t’i njoftojë siguruesit, sipas kërkesës së këtij, të gjitha
informatat që janë në dijeni të tij dhe që kanë lidhje me ngjarjen e
sigurimit. Në rastin e sigurimit të personit, kur vërtetohet humbja e
aftësisë për punë, bëhet edhe ekspertimi mjekësor.
Kur nuk përmbushen detyrimet e sipërme, siguruesi ka të drejtë të mos paguajë shpërblimin e sigurimit ose shumën e sigurimit.
Neni 1128
Shpërblimi i sigurimit ose shuma e sigurimit që duhet t’i paguhet
jo të siguruarit, por personit të tretë, në dobinë e të cilit është
lidhur kontrata, nuk mund të sekuestrohet për borxhet e të siguruarit.
Siguruesi ka të drejtë të ndalojë nga shpërblimi i sigurimit ose nga
shuma e sigurimit atë që ka për të marrë i siguruari nga e njëjta
kontratë e sigurimit (primin etj.).
Neni 1129
Siguruesi mund t’i kundrejtojë personit, në dobinë e të cilit është
lidhur kontrata, të gjitha prapësimet që ai mund t’i kundrejtojë të
siguruarit nga e njëjta kontratë sigurimi.
Neni 1130
Kur një person lidh një kontratë sigurimi në emër të një tjetri, pa
patur një tagër të tillë prej tij, ky i fundit mund të pranojë
kontratën e lidhur edhe pas vërtetimit të ngjarjes së sigurimit.
Personi që ka lidhur kontratën është i detyruar të zbatojë vetë
detyrimet që rrjedhin nga kontrata, deri në momentin kur siguruesi ka
marrë njoftim për pranimin ose jo të saj, nga personi në emër të të
cilit është lidhur kontrata.
Çmimi i sigurimit i paguhet siguruesit nga kontraktuesi i mësipërm, për
të gjithë periudhën deri në momentin kur siguruesi ka marrë dijeni për
mospranimin e kontratës.
Neni 1131
Siguruesi nuk është përgjegjës kur vdekja ose humbja e aftësisë për
punë të të siguruarit, si dhe kur humbja ose dëmtimi i pasurisë janë
shkaktuar drejt për drejt nga veprime lufte, përveç kur në kontratën e
sigurimit është parashikuar ndryshe.
Neni 1132
Kushtet për llojet e ndryshme të sigurimit vullnetar të pasurisë dhe të personit caktohen në kontratë.
Neni 1133
Dispozitat e këtij kreu nuk shtrihen mbi sigurimin e detyrueshëm, i cili rregullohet nga dispozita të veçanta.
Sigurimi në lundrimin detar rregullohet nga Kodi i Lundrimit Detar.
Sigurimi i pasurisë
Neni 1134
Personi që lidh kontratën e sigurimit të pasurisë ose personi i
tretë, në dobi të të cilit lidhet kontrata, duhet të ketë interes
pasuror në objektin e siguruar përndryshe kontrata e sigurimit është e
pavlefshme.
Neni 1135
Kur pas lidhjes së kontratës së sigurimit pushon interesi pasuror i
të siguruarit, ose i personit të tretë, në dobinë e të cilit është
lidhur kontrata, kjo quhet e zgjidhur.
Neni 1136
Shuma e sigurimit nuk mund të jetë më e madhe se vlefta e pasurisë.
Kjo vleftë, për disa lloje sigurimi, mund të jetë e përcaktuar në
kontratën e sigurimit edhe me anë vleftësimi të pasurisë.
Me vleftë duhet të kuptohet vlera më e madhe që ka patur pasuria në kohën e vërtetimit të rastit fator.
Në sigurimin e prodhimeve të tokës, dëmi përcaktohet në raport me vlerën
që do të kishin prodhimet në kohën e pjekjes së tyre, ose kur
mblidheshin zakonisht.
Kur është siguruar vetëm një pjesë e vleftës së pasurisë, shuma e
sigurimit nuk mund të jetë më e madhe se vlefta e pjesës së pasurisë të
siguruar.
Kur shkelen kushtet e sipërme, kontrata e sigurimit është e vlefshme,
sipas rastit, për një shumë të barabartë me vleftën ose me pjesën e
vleftës së pasurisë të siguruar.
Neni 1137
Kur pasuria e siguruar humbet ose dëmtohet, shpërblehet, sipas
rastit, vlefta e saj brenda kufijve të shumës së sigurimit ose pakësimi i
vleftës së pasurisë, përveç kur në kontratën e sigurimit është
parashikuar ndryshe.
Siguruesi përgjigjet për fitimin e munguar, vetëm në qoftë se është parashikuar shprehimisht në kontratë.
Neni 1138
Kur pasuria e siguruar ka humbur pjesërisht ose është dëmtuar dhe
për këtë është paguar shuma jo e plotë e sigurimit, pasuria që ka mbetur
quhet e siguruar gjer në fund të afatit të caktuar në kontratë për një
shumë të barabartë me diferencën midis shumës së sigurimit dhe
shpërblimit që është paguar.
Neni 1139
Kur shuma e sigurimit është më e vogël nga vlefta e pasurisë së
siguruar, shpërblimi i dëmit caktohet në përpjesëtim me raportin midis
shumës së sigurimit dhe vleftës së pasurisë të siguruar, përveç kur në
kontratë parashikohen ndryshe.
Neni 1140
I siguruari detyrohet të ruajë me kujdes pasurinë e siguruar, sipas
dispozitave kundër zjarrit, dispozitave agronomike dhe veterinare.
Siguruesi ka të drejtë të kontrollojë pasurinë e siguruar dhe të kërkojë
nga i siguruari që të marrë masa për ruajtjen e mirë të pasurisë dhe
për zhdukjen e çrregullimeve që janë konstatuar. Kur i siguruari shkel
detyrimin e sipërm, siguruesi ka të drejtë të zgjidhë kontratën e
sigurimit.
Neni 1141
Kur vërtetohet ngjarja e sigurimit, i siguruari detyrohet të marrë
të gjitha masat që varen nga ai për të shpëtuar dhe ruajtur pasurinë e
siguruar me qëllim që të ndalohet ose pakësohet dëmi.
Siguruesi nuk detyrohet të paguajë shpërblim për atë pjesë të dëmit që u
shkaktua nga mosmarrja prej të siguruarit të masave që mund të
merreshin prej tij për të shpëtuar dhe ruajtur pasurinë e siguruar.
Siguruesi detyrohet të paguajë shpenzimet për masat e nevojshme që janë
marrë për të shpëtuar dhe ruajtur pasurinë e siguruar, pavarësisht nëse
është arritur ose jo qëllimi, përveç kur siguruesi provon se mjetet e
përdorura dhe shpenzimet e bëra, janë përdorur ose janë bërë pa kujdes.
Siguruesi përgjigjet për dëmet materiale të shkaktuara mbi sendet e
siguruara nga mjetet e përdorura nga i siguruari për të shmangur ose
zvogëluar dëmet e ndodhura në ngjarjen e sigurimit, përveç kur provon që
mjetet e tilla janë përdorur pa kujdes dhe pa qenë të domosdoshme.
Neni 1142
Siguruesi që ka paguar shpërblimin e sigurimit ka të drejtë të
kërkojë kthimin e shumës së paguar nga personat që janë përgjegjës për
shkaktimin e dëmit.
Neni 1143
Siguruesi shkarkohet nga detyrimi për të paguar shpërblimin e
sigurimit, në qoftë se rasti i sigurimit është shkaktuar me dashje ose
nga pakujdesia e rëndë e të siguruarit ose e personit në dobinë e të
cilit është lidhur kontrata e sigurimit.
Në sigurimin e pasurisë së personave, siguruesi shkarkohet nga detyrimi
për të paguar shpërblimin e sigurimit edhe kur ngjarja e sigurimit është
shkaktuar me dashje ose nga pakujdesia e rëndë e anëtarëve madhorë të
familjes së të siguruarit.
Neni 1144
Kur pasuria e siguruar kalon në pronësinë e një personi tjetër,
kontrata e sigurimt quhet e zgjidhur. Në këtë rast primi i paguar i
kthehet të siguruarit në përpjesëtim me kohën që mbetet gjer në mbarimin
e afatit të kontratës së sigurimit.
Neni 1145
Kur për të njëjtin rrezik sigurimi janë lidhur veçmas disa kontrata
sigurimi në sigurues të ndryshëm, i siguruari duhet të njoftojë secilin
sigurues, për të gjitha sigurimet.
Kur i siguruari me qëllim nuk jep njoftimin e sipërm, siguruesit nuk janë të detyruar të paguajnë shpërblimin e dëmit.
Kur vërtetohet ngjarja e sigurimit, i siguruari duhet të njoftojë të
gjithë siguruesit, duke i treguar secilit emërtimin e të
tjerëvesigurues.
I siguruari ka të drejtë të kërkojë nga secili sigurues shlyerjen e
dëmit të detyruar sipas kontratës, por gjithsesi shumat e shlyera së
bashku nuk duhet të kalojnë shumën e dëmit.
Neni 1146
Siguruesi që ka paguar shumën e dëmit ka të drejtën e regresit ndaj
siguruesve të tjerë për ndarjen e shumës së detyruar sipas kontratave
përkatëse.
Kur një sigurues është me paaftësi paguese, pjesa e tij ndahet ndërmjet siguruesve të tjerë.
Neni 1147
Sigurimi i mallrave kundër rreziqeve të transportimit tokësor, ujor
të brendshëm dhe ajror përfshin të gjitha dëmet që mund të pësojnë
mallrat gjatë transportimit të tyre, përveç kur është caktuar ndryshe
nga ligji.
Neni 1148
Kontrata e sigurimit të mallrave kundër rreziqeve të transportimit
hyn në fuqi që nga çasti që mallrat i janë dorëzuar transportuesit dhe
vazhdon gjer sa këto t’i dorëzohen pritësit, përveç kur në kontratë
është parashikuar ndryshe.
Neni 1149
Kur mallrat e transportuara merren në dorëzim nga pritësit pa u
mbajtur në këtë rast procesverbal, siguruesi nuk përgjigjet për dëmtimin
ose mungesën e mallrave, përveç kur është parashikuar ndryshe me ligj.
Sigurimi i personit
Neni 1150
Kontrata e sigurimit të personit mund të lidhet për rastin e
vërtetimit të ngjarjeve që kanë të bëjnë me jetën dhe aftësinë për punë
të të siguruarit.
Neni 1151
Në kontratën e sigurimit të personit shuma e sigurimit caktohet me
marrëveshje të palëve dhe sipas dispozitave të tjera mbi sigurimet.
Neni 1152
Kontrata e sigurimit është e vlefshme edhe kur sigurohet jeta e një
të treti. Caktimi i personit bëhet në kontratën e sigurimit, ose me
deklaratë me shkrim të mëvonshme, që i njoftohet siguruesit, ose me
testament.
Neni 1153
I siguruari mund të caktojë në kontratën e sigurimit që, në rast se
ai vdes, shuma e sigurimit t’i paguhet një anëtari të familjes së tij,
një personi tjetër, shtetit, ose një personi tjetër juridik publik.
Neni 1154
I siguruari gjatë kohës që kontrata e sigurimit është në fuqi, ka
të drejtë që të zëvendësojë me një tjetër personin që ka caktuar për të
marrë shumën e sigurimit. Për këtë i siguruari detyrohet të njoftojë me
shkresë siguruesin dhe të paraqesë dëshminë e sigurimit për të bërë në
të shënimet e nevojshme.
Neni 1155
Caktimi i personit që përfiton nga sigurimi mund të revokohet nga
kontraktuesi në formën dhe mënyrën që përdoret për caktimin e tij.
Revokimi nuk mund të bëhet nga trashëgimtarët pas vdekjes së
kontraktuesit, pasi të jetë vërtetuar ngjarja e sigurimit e personi ka
deklaruar se e dëshiron këtë përfitim.
Heqja dorë e kontraktuesit dhe deklarata e përfituesit duhet t’i njoftohen me shkrim siguruesit.
Neni 1156
Caktimi i personit që përfiton nga sigurimi, dhe pse mund të jetë i
parevokueshëm, nuk ka efekt kur është rasti i parashikuar në shkronjën
“a” të nenit 771 të këtij Kodi.
Neni 1157
Kur në dëshminë e sigurimit nuk është treguar personi që mund të
marrë shumën e sigurimit, si dhe kur personi i treguar ka vdekur para të
siguruarit, pa u zëvendësuar me një person tjetër, ose kur ai me dashje
ka vrarë, ose ka tentuar të vrasë të siguruarin, shuma e sigurimit i
paguhet të siguruarit, dhe në qoftë se ky ka vdekur, trashëgimtarëve të
tij ligjorë ose me testament.
Neni 1158
Kur për të marrë shumën e sigurimit janë caktuar më shumë persona
dhe disa prej tyre kanë vdekur para të siguruarit, ose disa prej tyre me
dashje kanë vrarë ose kanë tentuar të vrasin të siguruarin, pjesët që u
takojnë këtyre ndahen midis personave të tjerë të caktuar për të marrë
shumën e sigurimit në përpjesëtim me pjesën që i është caktuar secilit
prej tyre.
Në rast se në kontratë nuk përmenden pjesët e personave të caktuar për
të marrë shumën e sigurimit, prezumohet se ato janë të barabarta
Neni 1159
Ndryshimet e profesionit ose të veprimtarisë së të siguruarit kur
sjellin pushimin e efekteve të sigurimit, në rast se ato nuk rritin
rrezikun në mënyrë të tillë që, në qoftë se kjo gjendje e re do të
kishte ekzistuar në kohën e lidhjes së kontratës, siguruesi nuk do ta
kishte lidhur atë.
Në rast se ndryshimet janë të një natyre të tillë që, gjendja e re edhe
po të kishte ekzistuar në kohën e lidhjes së kontratës, siguruesi do ta
kishte lidhur kontratën për një çmim më të lartë, pagimi i shumës së
sigurimit pakësohet në përpjesëtim me çmimin më të ulët, të caktuar në
raport me atë çmim që ka qenë përcaktuar në fillim.
Në qoftë se i siguruari njofton për ndryshimet e mësipërme siguruesin,
ky, brenda 15 ditëve, duhet të deklarojë nëse do të zgjidhë kontratën
apo të pakësojë shumën e sigurimit ose të ngrejë çmimin.
I siguruari, brenda 15 ditëve duhet të deklarojë nëse pranon ndryshimet e sipërme në kontratë.
Në qoftë se i siguruari deklaron se nuk i pranon ato, kontrata zgjidhet.
Neni 1160
Shuma e sigurimit, që pas vdekjes së të siguruarit është caktuar
t’i paguhet personit në dobinë e të cilit është lidhur kontrata e
sigurimit, nuk përfshihet në pasurinë trashëgimore të të siguruarit.
Neni 1161
Shumat e sigurimit që rrjedhin nga kontratat e sigurimit të
personit, paguhen pavarësisht nga shumat që mund të paguhen nga
sigurimet shoqërore.